‘Gaxhai’ nuk vë mend, i kapet sërish celular në qeli, ja dënimi i ashpër që rrezikon

12:37 21/09/20206min131
maxresdefault-1-4

Gazment Brakës, i njohur ndryshe edhe si ‘Gaxhai’, i është kapur një celular në qeli dhe për këtë arsye, mësohet se ndaj tij ka nisur një procedim penal.

Kujtojmë këtu që kjo nuk është hera e parë që Gaxhait i gjendet celular në qeli, pasi rreth një vit më parë, të fortit të Vlorës i është gjetur po ashtu një aparat celular, që nuk dihet se nga e ka siguruar.

Atëherë Gaxhai rrezikoi të dënohej me tre muaj izolim, ndërsa nuk dihet këtë herë se cila do të jetë masa që do të kërkojë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Gaxhai është i dënuar përjetë për vrasje dhe për krijim organizate kriminale në vitin 1997.

Historia e bandës dhe përplasjet me Zani Çaushin

Çfarë ndodhi në maj 1997, kërkoi blindat te drejtuesit e Policisë.

Gazmend Braka, së bashku me një grup shokësh nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e “Gaxhait”.

Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, shërbejnë dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë, anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat.

Nga deklarimet e banorëve të fshatit, rezulton se Gaxhai së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën herë pas here, ndihmonte me para njerëzit e fshatit.

Gjithashtu, provohet se mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin te Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre.

SULMI NDAJ KOMISARIATIT TË VLORËS

Më datë 11.05.1997, anëtarët e bandës “Gaxhai”, të organizuar kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Vlorë për të marrë një mjet të blinduar dhe para se të largoheshin kanë vrarë oficerin e Policisë, shtetasin Viron Rrapaj.

Lidhur me këtë ngjarje, gjatë këtij hetimi gjyqësor prokurori arriti të provojë se nga ana e Policisë kishte të dhëna se bandat që vepronin në qytet do të sulmonin komisariatin e Policisë, për të marrë prej aty mjetet e blinduara.

Në fillim, rreth orës 11:00 të datës 11.05.1997, në komisariat kanë shkuar tre-katër persona të armatosur dhe kanë hyrë në fillim tek oficeri i rojës.

Aty njëri prej tyre është prezantuar si Gaxhai dhe ka kërkuar që të merrte kontakt me drejtuesit e Policisë dhe ka kërkuar të merrte blindat për t’u mbrojtur nga Zani. Pas disa minutash, para komisariatit të Policisë erdhën mjaft makina dhe prej tyre zbritën rreth 30- 40 persona të armatosur, të cilët u futën në oborrin e komisariatit.

Siç rezultoi edhe nga dëshmitë e dhëna para Gjykatës nga ana e punonjësve të Policisë, të cilët ishin prezentë në ato momente, pjesëtarët e organizatës kriminale kontaktuan me oficerin e Policisë, Haxhi Demirin, i cili u shpjegoi se nuk mund t’i merrnin mjetet e Policisë. Pasi u sqaruan, personat e armatosur u tërhoqën prej komisariatit.

Duke dalë nga oborri i komisariatit, Alfred Nebiu (Kakami) ka parë policin Viron Rrapaj në derën e brendshme të komisariatit dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e vrarë.

Përveç Alfredit, deklaruesi Ilirjan Beqiri, por dhe persona të tjerë që kanë qenë aty të pranishëm, kanë mundur të njohin nga anëtarët e bandës, të pandehurin Gazmir Braka (Gaxhain), Sokol Sinomatin dhe Armando Sulejmanin, i cili kur u zhvillua ngjarja ka pasur një debat me policin Andrea Kanani (vdekur) për t’i marrë antiplumbin.

“Unë kam dëgjuar që këtë vrasje e ka kryer banda e ‘Kakamit’ dhe personat që kanë kryer vrasjen ishin Alfred Nebiu ‘Kakami’, Gazmend Braka ‘Gaxhai’ dhe Ilir Kokosi. Di që ditën e vrasjes, burri im, Vironi, kishte shërbimin dhe po atë ditë kishin shkuar në komisariat për të marrë autoblinda dhe pasi kishin marrë përgjigje negative, ata (banda) kanë qëlluar Vironin, i cili ka qenë pak metra para tyre dhe po shkonte të hynte në komisariat”, ka dëshmuar gruaja e policit të vrarë, Teuta Rabaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto