
Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Kodrës së Diellit, te rruga “Bill Klinton” në kryeqytet.
Mësohet se ajo që u përfol fillimisht si aksident ka qenë një atentat, i cili nuk ka shkuar siç duhet.
Sipas newsbomb.al, mjeti tip ‘Ford Focus’ që u largua nga vendngjarja me karrotrecin e Policisë së Shtetit dhe kishte përfunduar mbi trotuar, është përdorur nga atentatori, i cili më pas e braktisi.
Mësohet se drejtuesi i këtij mjeti, i ka zënë prit një mjeti tjetër tip ‘Audi’ dhe ka nisur ta qëllojë fillimisht me levë hekuri duke i thyer xhamat.
Por menjëherë, shoferi i Audit luksoz i ka dhënë gaz dhe e ka marrë përpara Fordin që i kishte zënë rrugën duke e hedhur mbi trotuar, në hyrjen e një shtëpie në krah të rrugës. Kur ka parë se nuk e ka realizuar dot atentatin, i riu drejtues i Ford-it, ka marrë dokumentet nga makina dhe “ia ka futur vrapit”, raporton newsbomb.al.
Në vendngjarje kanë mbërritur më pas forcat e policisë që kanë dokumentuar provat dhe një karrotrec që ka marrë mjetin e braktisur të atentatorit.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia, ndërsa nuk dihet as identiteti i të përfshirëve në atentat. (Marrë nga newsbomb.al)
