Enver Robelli/ Një traditë e pistë serbe

16:24 06/10/202010min207
Enver_Robelli

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vullin sërish është bërë temë mediale për shkak se i ka përshkruar shqiptarët si “šiptar(i)”. Dhe këtë fjalor diskriminues dhe fyes e ka mbrojtur edhe pas kritikave nga kryeministri i Shqipërisë dhe nga politikanët e Kosovës. Kush është Aleksandar Vullini? Në vitet 90-të ai ka qenë zëvendës i Mira Markoviqit, e cila ishte shefe e partisë JUL, një grupacion pseudomajtist, që i shërbente regjimit të burrit të saj, Sllobodan Millosheviqit.

Si në atë kohë edhe tani Vullin e luan rolin e palaços së oborrit – dikur në shërbim të Millosheviqit, tash në shërbim të kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Shpesh është thënë se Vullin deklaron për opinion atë që mendon vetë Vuçiqi. Përdorimi i fjalës fyese “šiptar” nga ana e Vullinit për t’i përshkruar shqiptarët i përket traditës nacionaliste serbe. Me këtë fjalë nacionalistët i shenjojnë shqiptarët si bashkësi e klasit të dytë. Fjala “šiptar” mund të krahasohet me fjalën “Nigger”, që racistët e përdorin për të fyer, njollosur dhe zhvlerësuar njerëzit me ngjyrë.

Një pjesë e konsiderueshme e elitës serbe nuk është distancuar nga kjo gjuhë raciste dhe antishqiptare. Në fund të vitit 2018 një gjykatë në Beograd ka vendosur që shprehja “šiptar” është fyese dhe politikisht jokorrekte. Madje gjykata pati theksuar se fjala “šiptar” është fyese edhe nëse një serb e quani “šiptar”. Rrjedhimisht, Vullin me gjuhën e tij shkel edhe vendimin e një gjykate serbe. Por këto detaje janë të parëndësishme për një nacionalist primitiv si Vullini. Duke qenë sherbëtor besnik i Vuçiqit, i cili është personifikim i kapjes së shtetit në Serbi, Vullin ka shpëtuar edhe nga ndjekja ligjore për shkak të dyshimit se ka kryer vepër penale me rastin e blerjes së një banese. Vullin ishte arsyetuar se 205 mijë euro i kishte marrë nga tezja e gruas së tij që jeton në Kanada. Afera “tetka iz Kanade” (tezja nga Kanadaja) nuk ka marrë epilog gjyqësor.

Sa i përket ankesave të politikanëse nga Kosova se përse BE nuk reagon ashpër kundër fjalorit racist të një politikani serb, duhet nënvizuar: viteve të fundit edhe brenda BE-së kanë ndryshuar shumë gjëra. Në disa shtete anëtare gjuha polarizuese, e egër, fyese e populliste pothuaj se është normalizuar në diskursin publik. Sigurisht BE-ja e vitit 2010 nuk është BE-ja e vitit 2020. Kjo është tragjike, sepse BE nuk është vetëm një pazar për shitjen e mallrave, por si laureate e çmimit Nobel për Paqe, BE do të duhej të ishte shumë më aktive me qëndrime të qarta kundër racizmit. Megjithatë, kjo nuk duhet të dekurajojë politikanët shqiptarë në Prishtinë që të kundërshtojnë e hedhin poshtë sulmet primitive dhe fyerjet e politikanëve serbë.

Tradita e fyerjeve antishqiptare, kualifikimeve raciste e gjuhës diskualifikuese është e gjatë në historinë serbe. Në trajtesën e tij raciste “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” (Leipzig, 1913) kryeministri i atëhershëm serb Vlladan Gjorgjeviq shkroi se shqiptarët atij ia kujtonin “njerëzit e lashtë, të cilët flinin në degë lisash, ku mbaheshin me bishtat e tyre”. Gjatë evolucionit, kur njeriu zbriti nga lisat, bishti i tij u rrudh, “kështu që njerëzve të sotëm u ka mbetur vetëm një gjurmë e vogël prapa. Vetëm në mesin e shqiptarëve duket që në shekullin e 19-të të ketë pasur njerëz me bisht”. Gjorgjeviq ishte themelues i shoqatës së mjekëve serbë dhe konsiderohej “baba i kirurgjisë serbe”. Deklaratat e tij për shqiptarët me bisht ai i “stoliste” me autoritet pseudoshkencor. Qëllimi i shkrimve të Gjorgjeviqit ishte të tregojë gjoja prapambeturinë civilizuese të shqiptarëve dhe kështu të përkrahë pushtimin e Shqipërisë nga Serbia. Në vitet 1912/1913 ushtria serbe kishte pushtuar veriun e Shqipërisë dhe kishte kryer disa masakra. Qëllimi i këtij aksioni ishte sigurimi i terrenit për daljen e Serbisë në det. Gjorgjviq i quante Lezhën dhe Durrësin qytete të vjetra serbe në kuadër të bregdetit serb (“Srpsko Primorje”).

Në “Kalendarin e xhandarmërisë” (serbe) të vitit 1933 Grigorije Bozhoviqi, shkrimtar dhe profesor i Bogosllovisë në Prizren (seminari serbo-ortodoks i Prizrenit), i përshkruante shqiptarët si pasardhës të trakasve, nga të cilët përbëhen vllehët. Nga këtu, sipas tij, buron dëshira e shqiptarëve për të gënjyer qëllimisht dhe mashtruar me kalkulim. “Këta njerëz janë të dobët kur gjenden në situatë të vështirë”. Në kalendarin e lartpërmendur për Azem Bejtën thuhet se është “i shëmtuar si cigan, megjithatë i bukur dhe disi i mirë, saqë s’mund ta urreni”. Kështu synohej të krijohej një konstrukt kulturor mbi shqiptarin që gjendet tek në fillim të zhvillimit civilizues përballë epërsisë racore të serbëve.

Politikanët dhe intelektualët nacionalistë serbë shpesh janë përkrahur edhe nga diplomatët rusë në fushatat raciste kundër shqiptarëve. Konsulli rus në Prizren, Ivan Jastrebov, shkruante për shqiptarët “e rrejshëm” dhe të “ndyrë” për të cilët vjedhja nuk është mëkat, por “e metë me të cilën kanë lindur”. Jastrebov theksonte se shqiptarët duken si “kafshë me fytyrë njeriu”, “të gjithë ecin lakuriq”, “të gjithë janë plaçkitës famëkeq dhe vrasës”.

Në traditën e Vlladan Gjorgjeviqit, Grigorije Bozhoviqit dhe Ivan Jastrebovit ka shkruar dekada më vonë, në vitet 90-të, shkrimtari serb Dobrica Qosiq. Në veprat e tij ai nënvizon se ndarja etnike e Kosovës është e detyrueshme, sepse shqiptarët paskëshin “veçori antropologjike”. Po ashtu, sipas tij, Kosova, për shkak të islamizimit të shpejtë, na qenkësh bazë për rekrutimin e luftëtarëve të “Al-Kaidës”. Shqiptarët, shkruante Qosiq, janë “llum social” dhe “ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Europian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb”. Këto janë hallet e një racisti: si ia dolën shqiptarët të bëhen aleatë me Perëndimin dhe t’ua “marrin serbëve Kosovën”. Qosiq ka hyrë në histori me këso deklaratash për kombin serb: “Gënjeshtra është pikëpamje e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë me kreativitet, me imagjinatë, me novacion”, “gënjeshtra është interes shtetëror serb”, “në këtë vend secila gënjeshtër dikur bëhet e vërtetë”, “serbët aq shpesh gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra”.

Vitin e kaluar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha se liderët politikë shqiptarë janë “njerëz nga mali”. Një stereotip i nxjerrë nga arkat e Vlladam Gjorgjeviqit mbi shqiptarët me bisht. Sulmet raciste kundër shqiptarëve janë një “specialitet” i politikanëve serbë. Dikur deklaratat e tilla shoqëroheshin me masakra të aparatit shtetëror serb mbi shqiptarët. Sot palaçove dhe kusarëve politikë të Beogradit si Aleksandar Vullin u ka mbetur vetëm gjuha raciste dhe dëshira për të vrarë shqiptarë. Pas disfatës historike të vitit 1999, nacionalistët serbë vetëm mund të nxjerrin helm nga goja. Shqiptarët nuk do të mund t’i vrasin më, së paku jo pa pasoja të rënda për serbët dhe për Serbinë.

Koha Ditore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto