(EMRI) SPAK e akuzon për korrupsion, arrestohet gjyqtarja që nuk njohu zgjedhjet e 30 qershorit

15:18 09/09/20206min162
WhatsApp-Image-2019-12-18-at-12.50.08

Gjyqtarja Mimoza Margjeka është arrestuar në Durrës ditën e sotme pasi SPAK ka lëshuar urdhërin.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Margjekën për korrupsion, pasi në këmbim të 6 mijë eurove ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”

Emri i Margjekës nuk është i panjohur, pasi në kohën kur ajo ishte pjesë e gjykatës së Durrësit vendosi që të mos i jepte mandatin e krye-bashkiakes socialistet Valbona Sako, e cila doli nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Në prangat e policisë është vënë edhe avokati Skënder Demiraj, pasi në bashkëpunim me Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

NJOFTIMI I SPAK: 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr.186/2020. Në kuadër të hetimeve të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, (Drejtorinë Hetimore Qendrore), nëpërmjet përdorimit të metodave proaktive dhe të posaçme të hetimit, është bërë i mundur evidentimi dhe dokumentimi i një akiviteti korruptiv në sistemin e drejtësisë.

Konkretisht ka rezultuar se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, për këtë shtetas.

Mbështetur në provat e administruara dhe pas kërkesës së prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 92 datë 05.09.2020 ka caktuar :

Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Arben Cara, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Skënder Demiraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.

Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetases Mimoza Margjeka, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Sot, në datë 09.09.2020, Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin e gjykatës që cakton masat e sigurimit personal, duke arrestuar shtetasit e mësipërm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto