
TIRANA
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka marrë drejtimin politik të Qarkut të Tiranës. Pas largimit të Saimir Tahirit nga PSja, i cili drejtoi fushatat zgjedhore në 2013 dhe 2017, rolin e drejtueses së Qarkut të Tiranës e mori anëtarja e kryesisë, Blerina Gjylameti. Një vit më parë, Kryeministri Rama caktoi Elisa Spiropalin dhe Ervin Bushatin që ta drejtojnë këtë qark. Dje, kreu i PS-së emëroi Bushatin kryetar të PS-së së Tiranës, ndërsa Spiropalin si koordinatore zgjedhore për bashkitë e këtij qarku, përveç Tiranës.
SHKODRA
Drejtuesi i ri i Qarkut të Shkodrës do të jetë Ilir Beqaj, i cili më parë ka drejtuar Qarkun e Kukësit, ndërsa mban dhe postin e koordinatorit kombëtar për programin. Në korrik 2019, Kryeministri Rama lajmëroi largimin e Ditmir Bushatit nga drejtues politik i Qarkut të Shkodrës, për të vendosur në vend të tij fituesin e bashkisë, Valdrin Pjetrin, i cili dha dorëheqjen pa arritur të marrë mandatin pas akuzave të opozitës.
Ndryshime ka dhe në drejtimin politik të Qarkut të Kukësit. Kryeministri në mbledhjen me dyer të mbyllura është shprehur se “në Kukës nuk kemi njeri tjetër përveç Safetit”, kryetarit të Bashkisë Kukës. Safet Gjici zëvendëson ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, si drejtuese politike në këtë qark, ndonëse ishte Kodheli ajo që drejtoi qarkun edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Qarku i Lezhës është rimarrë nga ishministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Betejën mes dy mirditorëve e ka fituar Nikolla, e cila ka lënë pas ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Kryeministri Rama vendosi në korrik 2019-ës Lleshajn që të drejtojë këtë qark pas zgjedhjeve lokale, duke premtuar një angazhim tjetër për Nikollën.
Por kanë qenë jo të pakta ankesat që mbërrinin në selinë rozë për përplasje mes ministrit Lleshaj dhe drejtuesve lokalë të PS-së në këtë qark. Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme duket se e kanë detyruar Ramën të rikthejë në krye të këtij qarku Nikollën, e cila ka një marrëdhënie më të mirë edhe me të zgjedhurit vendorë në këtë qark.
DURRËS
Edi Rama, largohet Vangjush Dako
KUKËS
Safet Gjici, largohet Mimi Kodheli
SHKODËR
Ilir Beqaj, në vend të Valdrin Pjetrit
LEZHË
Lindita Nikolla, në vend të Sandër Lleshajt
TIRANË
Erion Veliaj, në vend të Blerina Gjylametit
Elisa Spiropali, koordinatore për bashkitë e qarkut
Ervin Bushati, kryetar i PS-së së Tiranës
QARQET QË NUK NDRYSHOJNË
DIBËR Olta Xhaçka
ELBASAN Taulant Balla
KORÇË Niko Peleshi
FIER Gramoz Ruçi
VLORË Damian Gjiknuri
GJIROKASTËR Bledi Çuçi
BERAT Blendi Klosi