Ekskluzive/ Greqia nis zbatimin e planit të paralajmëruar vetëm pak ditë më parë nga Descript.al

greqia

Para disa ditësh, ‘Descript’.al paralajmëroi se Greqia është duke u përpjekur për të rikthyer në tavolinën e bisedimeve me Shqipërinë çështjen e marrëveshjes detare, konkretisht atë të Zonave Ekskluzive Ekonomike.

Në shkrimin e ‘Descript.al’ evidentohej fakti se shteti grek po kërkon me këmbëngulje uljen sa më parë në tryezën e bisedimeve për t’i paraprirë ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.
Këtë fakt e ka përforcuar edhe vetë gazeta greke ‘Ta Nea’ e cila shkruan se qëllimi i radhës së Greqisë pas përplasjes me Turqinë është ai i Zonave Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë.

Sipas gazetës greke, “Ta Nea” Athina do të tentojë të gjejë një gjuhë të përbashkët me Tiranën për të arritur sa më shpejt një marrëveshje për kufirin detar.

Pasi Greqia i ka mbyllur marrëveshjet detare me Italinë dhe Egjiptin, ajo ka hyrë në një përplasje gati ushtarake me Turqinë për të përfituar zonat ku gjenden naftë dhe gaz. Por, Athina nuk mendon të ndalet me kaq. Objektivi tjetër janë nafta dhe gazi në ujërat shqiptare.

Për këtë arsye, ashtu siç e konfirmojnë edhe mediat greke, Athina po këmbëngul me të gjitha mënyrat për të rikthyer në tryezën e bisedimeve marrëveshjen e Detit.

Synimi i shtetit grek që të ketë një marrëveshje pa qenë e ngritur Gjykata Kushtetuese, nuk dihet nëse i është paraqitur palës shqiptare dhe nëse kjo e fundit ka ndonjë qëndrim për këtë çështje.

Ashtu siç paralajmëroi edhe Descript.al, mediat greke i mëshojnë faktit se Athina është e vendosur për nisjen e bisedimeve sa më shpejt, e për këtë po përdor edhe kartën e bllokimit të rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE.

Marrëveshja midis dy vendeve dështoi në vitin 2018, në negociatat mes Bushatit dhe Kotzias.

Por, ajo që ka një peshë të madhe në këtë histori është Gjykata Kushtetuese e cila hodhi poshtë më 15 prill 2010, Marrëveshjen e Detit të 2009-s, ku Shqipëria mendohej humbiste 350 km hapësirë detare.

Kjo është arsyeja që Greqia po luan të gjitha fijet për të arritur një marrëveshje përpara ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa diplomacia shqiptare përveç mos-humbjes së Zonave Ekskluzive Ekonomike do të duhet të zgjidhë me Greqinë Ligjin e Luftës, i cili vijon të jetë në fuqi që nga viti 1940 si dhe çështjen Çame./Descript.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto