DOSJA 339 / U arrestuan me bujë të madhe, 17 komisionerë të Shijakut në liri, vetëm 3 në burg!

17:53 07/09/20203min24

Screenshot_2

Një muaj pas arrestimit të 20 komisionerëve të akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 në Shijak vetëm tre prej tyre kanë mbetur në qeli.

Gjykata e Apelit Durrës liroi në masën ‘arrest shtëpie’ 5 komisionerë të hetuar nga SPAK në kuadër të dosjes së bujshme “339”.

Ndërkohë avokatët e tre komisionerëve që mbetën në burg, akuzuan drejtësinë se veproi me dy standarde, duke lënë në qeli përfaqësuesit e opozitës.

Gjykata e Apelit Durrës ka nxjerrë nga qelia 5 nga 8 komisionerët e Shijakut të arrestuar për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 në kuadër të hetimit për dosjen e “339”.

Shpëtim Stafa, Fredi Marku, Emilian Tuda, Dalvis Biba dhe Redi Hysa do të qëndrojnë në masën arrest shtëpie, derisa dosja e bujshme e krimit zgjedhor të shkojë në Gjykatën e Durrësit për gjykim.

Të pandehurit ishin komisionerë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe përfaqësuan parti opozitare. Para seancës në gjykatë, avokatët mbrojtës pretenduan se drejtësia veproi me dy standarde në këtë rast

Më herët, gjykata e Shkallës së parë Durrës kishte lënë në arrest shtëpie komisionerët Shpëtim Marku, Mehdi Lala, Bujar Sula, Kujtim Uruci, Zyrha Lala, Qemal Domi, dhe Armelin Zeza.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, në qeli mbeten vetëm tre persona, të cilët nuk e kishin apeluar vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit.

Hetimi për krimet zgjedhore në Shijak u finalizua me 28 korrik nga Prokuroria e Posacme e cila firmosi 22 urdhra arresti.

Por mes tyre, dy ish-komisionerë rezultoi se kishin ndërruar jetë ndërsa ky gabim u korrigjua vetëm pasi familjarët paraqitën certifikatat e vdekjes në gjykatë.

Sipas dosjes hetimore, komisionerët e qendrës së votimit në fshatin Shetël të Bashkisë Shijak kanë lejuar të votohet për 22 persona që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Në të njëjtën mënyrë, komisionet e qendrës së votimit të pozicionuar në kopshtin e fshatit Rubjek kanë lejuar të votohej për 7 persona.

Në përgjimet e papublikuara të dosjes “339”, në fraksionin për komisionerët zgjedhorë të akuzuar nga SPAK, protagonist është Altin Avdyli, personazhi i njohur me emrin “Niçja”.

Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit, shpalli moskomeptencë me çështjen pasi vlerësoi se nuk kishte grup të strukturuar kriminal dhe dosja e bujshme tashmë është në duart e Prokurorisë së Durrësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto