
Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe ka ironizuar kryedemokratin, Lulzim Basha, pas deklaratës së këtij të fundit se ish-Kryeministri Berisha do të kandidojë si deputet në zonën që do të dëshirojë ai.
Braçe ka ironizuar punën e komisionit të vlerësimit të kandidatëve që PD ka zgjedhur për verifikimin e të gjithë emrave që duan të kandidojnë nën logon e demokratëve, duke thënë se: ‘profesorët’ e këtij komisioni janë sa për sy e faqe për të bërë sa më ‘demokratik’ procesin e përzgjedhjes të personave që do vetë kryedemokrati.
Duke iu referuar deklaratës së Bashës, Braçe ka përmendur disa nga ngjarjet më të bujshme ndër vite që është i lidhur dhe figura e Sali Berishës, si shpërthimi i Gërdecit, vrasja e 4 protestuesve në bulevard, marrëveshja e detit të 2009 që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pasi cenohej territori shqiptar, apo spastrimet në Tropojë, duke thënë se këto janë zonat që do i shkonin ish-kryeministrit Berisha të kandidonte si deputet.
Reagimi i plotë i Erion Braçes:
“Ja kaq ishte; vrasësi nuk e vret dot kurrë urdhërdhënësin! Përkundrazi, urdhërdhënësi mund të qërroje edhe vrasësin! Por deri atëherë, janë të detyruar të jenë bashkë, kudo, ku të dojë AY!
Tani a e mbani mend atë komisionin që ishte risia e madhe e demokratike me profesorë famozë që do bënte pastrim? Vate!
Ai ishte për të fshehur kunatin, për ta bere më demokratik procesin kunatit! Tani profesorët kanë një detyrë: Ti gjejnë zonën SALY BERISHES! Kaq! A ju japim një dorë? Unë them të kandidojë në Tropojë! E ka pastruar tani duke vrarë e varrosur dhjetëra kundërshtarë!
Por mendoj edhe Gërdecin. Aty mund të jetë edhe garanti më i afërt për biznesin e boronicave në pritje të rikthehet për t’u marrë me bombat metalike që kanë mbetur!
Po edhe në Sarande mund të jetë! Aty e duan të gjithë, imagjinoni, i vetmi pas Skënderbeut, ky shtoi territorin shqiptar në Sarande!
Por jam i bindur se Saly Berisha do ishte fiks si deputet në Bulevard! Ay është unik aty, është i vetmi që nga fashizmi që ka pushkatuar kundërshtarë aty! Si mendoni ju?”, shkruan Braçe në reagimin e tij.