6. Korporatat nuk gabojnë. Konkurrenca ka gjithnjë përparësi.Kjo është një nga divergjencat më të thella me liberalizmin klasik, që shihte me dyshim shoqëritë aksionare dhe monopolet. Kjo do të thotë që shteti duhet të deqeveriset, nëpërmjet privatizimit të arsimit, shëndetit dhe shkencës dhe, në porcione të vogla, edhe të ushtrisë. Një mënyrë e mirë për të iniciuar privatizimin është duke ripërkufizuar të drejtën intelektuale.

7. Kombi shtet duhet të jetë subjekt i disiplinës dhe kufizimeve, ushtruar me ndihmën e nismave ndërkombëtare.Fillimisht, kjo tezë u zbatua nëpërmjet nismave neo-liberale të Fondit Ndërkombëtar Monetar (International Monetary Fund, IMF), Organizatës Botërore të Tregtisë (World Trade Organization, WTO), Bankës Botërore, si dhe disa institucioneve të tjera neo-liberale të formës klasike që kanë operuar pak më parë. Ky lloj pacifikimi i shtetit fillon me promovimin e tregut të lirë dhe kursin pluskues të shkëmbimit, por që shumë shpejt shndërrohet në varësi ndaj një agjende më të gjerë – atë të korporatave ndërkombëtare, ndryshe ndaj atyre korporatave të cilave u bashkëngjitet. “Reformat” neo-liberale mund të imponohen edhe nga jashtë kanaleve standardë të politikës, nga organizata mbi-kombëtare.

8. Tregu është zgjidhja për të gjitha problemet që shkaktohen po nga tregu. Monopolizmi mund të zhbëhet nga konkurrenca; ndotja e mjedisit mund të reduktohet me ndihmën e lejeve të emetimit; mcCarthyismmund të zvogëlohet nga konkurrenca ndërmjet punëdhënësve (Friedman, 1962: 20). Nuk ekziston një gjë e tillë si “E mira publike”, por vetëm një varg problemesh që menaxhohen nga struktura të ndryshme qeveritare, probleme që kanë lidhje me kostot e transaksioneve (Coase, 1960; 1974a).

9. Ripërkufizimi i të drejtës së pronësisë është një nga mënyrat më efektive që një shtet të mbizotërohet nga agjenda neo-liberale. Kjo do të thotë, që sapo biem dakord për nevojën për këto të drejta, më pas trajtohen si “të shenjta”. Ekonomistët neo-liberalë i prezantojnë shpesh të drejtat e pronësisë sikur formati i tyre specifik është i parëndësishëm për operimin e tregut dhe, në të njëjtën kohë, pranojnë se sapo krijohen, është shumë e vështirë të zhbëhen. Mënyra më e mirë për të iniciuar programin e privatizimit në çdo sektor, që më parë ka qenë subjekt i të përbashkëtës, publikut, apo formave të tjera të administrimit, është thjesht angazhimi i shtetit për të institucionalizuar një klasë të re të drejtash mbi pronësinë. Më pas, interesat personale politikë kujdesen për pjesën tjetër të realizimit të projektit.

10. “Liria” duhet të rikodohet, duke nënkuptuar vetëm një version të ngushtë të lirisë ekonomike në hapësirën e rikonceptuar të tregut. Qëllimi i neo-liberalëve është të vlerësojë lirinë mbi gjithçka: “Liria ekonomike është synim në vetvete” (Friedman, 1962: 8). Gjithsesi, është e nevojshme të kuptojmë se neo-liberalizmi nuk e përmban heqjen dorë, plotësisht, nga të gjitha format e kontrollit mbi veprimtarinë humane – sa i takon kësaj pike, këtu qëndron divergjenca më e theksuar me anarkistët e mëparshëm apo nga doktrina libertariane. Në fakt, kontrollet duhet të rishikohen deri në masën e rikodimit dhe rikonfigurimit në një version të ri, të përshtatshëm për “rendin konkurrues”. Neo-liberalizmi i Chicago-s transedon tensionin liberal klasik ndërmjet agjentëve me interesa te vetja dhe detyrës patriotike si qytetarë, duke reduktuar edhe shtetin, edhe tregun, deri në masën e ontologjisë së sheshtë identike të modelit neo-klasik të ekonomisë. Në këtë mënyrë, “Liria” e rikoduar do të thotë kapaciteti për vetë-realizim, e përftuar vetëm nëpërmjet përpjekjeve individuale për një bashkësi të pashpjeguar (përgjithësisht të pashprehura edhe me veten), por që shndërrohen në të domosdoshme, dëshirash dhe nevojash. Isaiah Berlin ([1958] 1969) e kapi këtë risi, duke futur konceptin e dy llojeve të lirisë: lirisë “negative”, e cila është gjendja e imunitetit nga cenimi prej të tjerëve, sapo realizohen këto dëshira e nevoja, si dhe lirisë “pozitive”, e cila referon një agjent, që ka kurajën e duhur për t’u përfshirë në procesin e realizimit të këtyre dëshirave dhe nevojave në mjedisin që i bëri aktuale ato. Berlin (dhe neo-liberalët) e lidh lirinë pozitive me lëvizjet totalitariste. Duhet theksuar, se sapo ky fjalor i ri hyn në fuqi, në mbretërinë e ligjërimit bëhet realisht e pamundur ta cilësosh çfarëdolloj transaksioni ekonomik si detyrues (V. Smith, 1998: 80), dhe që përbën një divergjencë të madhe me doktrinën liberale klasike.

/Shkëputur nga libri: “Shkenca në pazar. Privatizimi i shkencës amerikane”/ Përktheu: Valbona Nathanaili/Fondacioni “Herietta Leavitt”/