Çështja e Detit/ Historiani Beqir Meta: Rama ka dështuar, Greqia na bën presion për interesat e veta

15:09 08/09/202019min119
beqir-meta-696x359-1 (1)

Ashtu siç ka raportuar dhe paralajmëruar ‘Descript.al’ mbi lëvizjet dhe presionin e Greqisë ndaj Shqipërisë mbi përpjekjen e saj për t’u zgjeruar me 12 milje në drejtim të Shqipërisë edhe drejtuesi i Institutit të Historisë, akademiku e historiani Beqir Meta thekson se Athina po shfrytëzon për interesat e veta çështjen e detit si pasojë e politikës së dështuar shqiptare.

Në një intervistë të gjatë për ‘Descript.al’ historiani Meta shpjegon se pretendimi i Greqisë  për të zgjeruar me 12 milje kufirin detar me Shqipërinë ka ardhur si pasojë e drejtuesve të shtetit shqiptar, duke nisur që nga Sali Berisha dhe aktualisht kryeministri Rama, të cilët sipas tij kanë vendosur interesat e tyre të ngushta politike mbi interesat kombëtare.

Intervista e plotë:

Z. Meta, si e gjykoni situatën e krijuar së fundmi midis Shqipërisë dhe Greqisë për zgjerimin e kësaj të fundit me 12 milje në det ndaj vendit tonë?

Sigurisht është një qëndrim i njëanshëm i qeverisë greke dhe i deklaratave të kryeministrit grek Micotaqis.

Është një politikë që vazhdon në një vijë historike e Greqisë në një lloj trajektoreje të njëjtë ngjitëse dhe presioni. Është një politikë presioni dhe e marrjes së koncesioneve dhe favoreve nga qeveria shqiptare. Një politikë që sa vjen dhe thellon shkeljen e parimeve të reciprocitetit midis dy shteteve. Kështu edhe çështja e Detit është në këtë linjë. Pra Greqia kërkon të përfitojë në kurriz të fqinjit të vet verior.

Është një shtet shumë i dobët për fatkeqësinë e shqiptarëve. Një shtet i cili nuk e ka suportuar dot krijimin e një sistemi kuazi demokratik, pasi ky nuk është një sistem demokratik i mirëfilltë.

Ky lloj sistemi qeverisës ka krijuar anarki, ka krijuar tensione të mëdha, konflikte të brendshme politike, të cilat e kanë dobësuar shumë rëndë forcën dhe kohezionin e këtij shteti. Dhe mbi të gjitha kanë sjellë në krye politikanë të papërgjegjshëm. Më i papërgjegjshmi është ky aktualisht që kemi, kryeministri Rama, të cilët kanë bërë shkelje të rënda të interesave kombëtare të Shqipërisë në raport me Greqinë.

Shkelja e parë në lidhje me çështjen e Detit është nga ish-kryeministri Berisha dhe qeveria që ai drejtonte. Ishte një shkelje e rëndë që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Dhe që sigurisht që është bërë për interesa të ngushta politike, elektorale të asaj partie. Ajo që po bën kryeministri aktual është shkelja e radhës, i cili përveçse ka rrënuar gjithë ekonominë e vendit edhe ato institucione me atë gjysmë shpirti demokratik që kishim, i ka rrënuar totalisht.

Tani kemi vetëm një parti e cila vetëm ajo komandon në pushtetin qendror, në atë lokal, në gjykata etj. Por, nga ana tjetër është zhytur në një korrupsion marramendës galopant duke shkatërruar totalisht ekonominë e vendit dhe duke u lënë shqiptarëve për brezat që do të vijnë një borxh të jashtëzakonshëm në kurrizin e tyre.

Meqë jemi në prag të një viti elektoral, ai kërkon përsëri të bëjë favore politike kundrejt fqinjit të jugut për të siguruar mbështetje përmes ndikimeve që ai ka në zonat e ndryshme në Shqipërinë e jugut apo tek emigrantët shqiptarë me qëllim që të fitojë një mandat të tretë në pushtetin e tij politik.

Deklaratat e kryeministrit janë të paqarta. I kam ndjekur me kujdes, herë ka deklaruar që Greqia ka të drejtë, herë thotë që nuk bëhet kjo ‘punë me llafe’. Është mungesë totale serioziteti. Deklarata e kryeministrit kur bëhet publike është shumë e rrezikshme dhe merret si kapital politik shumë i rëndësishëm.

Ne nuk kemi asnjë informacion se çfarë tratativash janë bërë në fshehtësi me palën greke, pasi politika jonë nuk ka më asnjë lloj transparence, qoftë ajo e jashtme apo edhe politika në përgjithësi, mbi ato gjëra që qytetarët duhet t’i dinë në mënyrë të qartë dhe të detajuar.

Kjo situatë ka sjellë që Greqia të jetë në një sulm të vazhdueshëm duke përdorur të gjitha mjetet e presionit që ajo ka mbi shtetin shqiptar, për t’i siguruar atij ‘koncesione’. Mos harroni ‘koncesionet’ që ka siguruar ajo për varrezat në Shqipëri, tentativat për hapjen e shkollave greke në Shqipërinë e jugut, duke dashur të trajtojë Himarën si minoritet grek, fakti që i ka mbyllur gojën qeverisë shqiptare për të negociuar për çështjen Çame, të paktën për të drejtat e pronave të tyre.

Pra, është një presion i vazhdueshëm. Herë përdor nevojat e Shqipërisë për t’u afirmuar në organizatat ndërkombëtare, si kërkesat për të hyrë në NATO, kërkesat për pranimin në BE. Brenda këtij konstelacioni të gabuar të marrëdhënieve shqiptaro-greke, nuk mund të ndërtohet miqësia dhe raportet pozitive në këtë mënyrë, pjesën kryesore të fajit e ka qeveria shqiptare, dobësitë e tyre, karakteri jo përfaqësues i institucioneve, karakteri i papërgjegjshëm i tyre, interesat e ngushta politike që vihen mbi interesat kombëtare që është bërë tashmë një praktikë e shëmtuar por që ka fituar kjo gjë sepse qytetarët shqiptarë janë treguar indiferentë duke toleruar këto shkelje të njëpasnjëshme të institucioneve politike mbi të drejtat e kombit shqiptar.

E gjithë kjo amalgamë e tmerrshme, kjo krizë e brendshme të cilën Greqia e studion, e planifikon dhe e parashikon se deri ku mund të shkojë dhe çfarë efektesh mund të japë dhe e përdor për interesat e veta politike, për të avancuar interesat nacionaliste të saj.

Nisur nga ajo që parashtruat më lart, a mendoni se mund të ketë një ‘marrëveshje’ të fshehtë midis palëve mbi çështjen e detit, të cilët mund ta hedhin në publik në një moment krejt të papritur?

Nuk e di nëse mund të ketë apo jo! Por kryeministri përtej asaj ‘të fshehtës’ e rëndësishme është se çfarë ka deklaruar publikisht.

Ai ka deklaruar që Greqia ka të drejtë, por pa bërë një parantezë që nuk ka të drejtë në drejtim të Shqipërisë, por mund të ketë një të drejtë ku është deti i hapur që nuk ka kufij të diskutueshëm midis palëve. Pra, nuk e ka bërë këtë.

Deklaratën e tij e kam parë dhe nuk është se tha që ‘ka të drejtë në det të hapur por jo në ato pjesë që afër territoreve shqiptare apo kufirit shqiptar.’

Nuk besoj se ka ‘marrëveshje’ por bisedime të fshehta mund të ketë. Ndonjëherë ka edhe dakordësime në heshtje. Por unë nuk mund të spekuloj, unë jam historian dhe flas në bazë të  dokumenteve. Është deklaratë fatkeqe, është deklaratë e rëndë që vë në pikëpyetje interesat e shtetit shqiptar.

Nëse Greqia ka të drejtën e 12 miljeve atëherë edhe Shqipëria ka të drejtën e 12 miljeve. Por, kur këto 12 milje nuk gjenden atëherë si i bëhet? Greqia nuk ka dalë të thotë që Shqipëria ka të drejtën e 12 miljeve, por ka deklaruar që ne po zgjerojmë Greqinë me 12 milje. Kjo është deklaratë që lë shumë për të dyshuar. Kur thuhet në publik lindin dyshime se çfarë mund të jetë bërë nën dhe.

A mendoni se përplasja mes Greqisë dhe Turqisë ka reflektuar në kërkesën e Athinës për t’u zgjeruar me 12 milje detare në drejtim të Shqipërisë?

Pa diskutim! Greqia është përballë një presioni të fuqishëm ushtarak nga Turqia dhe politik sigurisht. Kjo e fut politikën greke në një lloj krize dhe ajo është përpjekur të fitojë diku gjetkë duke menduar që ka një fqinj tjetër më të dobët të cilit mund t’i imponohet. Ky është qëllimi i politikës greke.

A është çështja e Detit më shumë një temë për konsum të brendshëm të politikës greke, përderisa nuk kemi lëvizje konkrete midis dy vendeve për të arritur një marrëveshje?

Nuk mendoj kështu. Unë mendoj se çështja e detit është ndjekur nga të gjitha qeveritë greke dhe nuk është ndjekur vetëm nga një qeveri, por është një objektiv strategjik grek. Kur fitohet një avantazh përballë fqinjëve apo të tjerëve, sigurisht që ajo përdoret për konsum të brendshëm politik dhe forcon pozitat e asaj qeverie që është në pushtet.

Por, nuk është thjesht çështje e konsumit të brendshëm politik, është objektiv strategjik i Greqisë për t’u zgjeruar edhe në det edhe në tokë. Në tokë, përmes metodave të reja tashmë, zgjerimin e zonave të ashtuquajtura minoritare në Shqipërinë e jugut, përmes ndërhyrjeve për çdo lloj problemi që krijohet në këto zona dhe presioneve të tjera, kur nga ana tjetër nuk pranon të njohë asnjë të drejtë të palës të tjerë, pra të shqiptarëve. Është një politikë dispropocionale dhe asimetrike.

Si mendoni, pse Greqia nuk e heq Ligjin e Luftës me Shqipërinë, ndërkohë që edhe në marrëveshja e fundit midis dy vendeve rezultoi një dështim?

Ligji i luftë është një çështje që provon karakterin nacionalist të politikës greke. Është absurde dhe një kambanë alarmi që duhet se sa konsistente është politika nacionaliste greke në drejtim të Shqipërisë.

Lufta e dytë Botërore ka 75 vjet që ka mbaruar, ligji i Luftës që kur është shpallur ka qenë absurd sepse kur është sulmuar Greqia,  Shqipëria ka qenë vetë e pushtuar nga Italia fashiste. Që kur është shpallur ky ligj  ka qenë një Casus-Belli, për ta pasur më vonë qeveria greke si aset në duart e veta për të bërë presion mbi qeverinë shqiptare, për të aneksuar Shqipërinë e jugut.

Pra, për ta vendosur Shqipërinë në anën e të mundurve. Greqia i bëri të gjitha këtij përpjekje dhe dështoi në Konferencën e Paqes. E ka lënë çështjen hapur në Këshillin e Ministrave të jashtëm, në katërshen e 4 fuqive të mëdha pas Konferencës së Paqes për ta diskutuar këtë problem në një të ardhme, për një çështje e cila mund të thotë që është parashkruar por që kjo kërkesë nuk është tërhequr asnjëherë nga pala greke.

Pra, çështja e aneksimit të jugut. Dhe nuk e ka hequr ligjin e luftës as pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe as pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë. Shumica e studiuesve mendojnë se ka lidhje me çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi, por edhe të qytetarëve grekë me kombësi shqiptare, të shqiptarëve të Çamërisë të tokave dhe pronave të tyre.

Me këtë ligj e mban nën presion të vazhdueshëm shtetin shqiptar dhe vendos në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet miqësore që janë arritur me Greqinë sepse vetë emri ‘ligj lufte’ nuk ka përfunduar juridikisht gjendja e luftës midis këtyre dy vendeve. Kjo mund të sjellë acarime papritur dhe pa kujtuar në çfarëdo lloj rrethane.

Por nga ana tjetër është shumë e amoralshme për politikën greke dhe për atë shqiptare, për vetë faktin që dy vende kanë marrëdhënie diplomatike i kanë nënshkruar që në vitin 1971, që kanë nënshkruar një Traktat Miqësie, mbajnë dhe ligjin e Luftës.

Pala greke e mban, pala shqiptare është e detyruar ta pranojë në heshtje. Mund të ketë shembuj të pakët në dobët që dy vende edhe të kenë traktat miqësie, të jenë vende aleate të NATO-s dhe njëkohësisht të kenë një ligj lufte në fuqi midis tyre.

Ky është absurditet i madh. Kjo politikë e Greqisë sigurisht që vendos në pikëpyetje edhe vetë politikën e Bashkimit Evropian. Është një politikë jo parimore dhe jo e balancuar që t’ju kërkojë anëtarëve të saj që të mbajnë të njëjtin qëndrim siç mbajnë ndaj njëri-tjetrit, por siç mbajnë edhe ndaj anëtarëve të rinj apo potencialisht kandidatë dhe vendeve të tjera. BE-ja për të ruajtur kohezionin është e gatshme të tolerojë çdo lloj shkeljeje të vendeve anëtare, në këtë rast Greqisë kundrejt të tretëve.

Pse drejtuesit e Shtetit shqiptar nuk kanë ndërmarrë lëvizje konkrete për të zgjidhur çështjen çame, ndërkohë që Greqia ka ngritur varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Drejtuesit e shtetit shqiptar kanë arsye objektive dhe subjektive. Arsyet objektive janë ato, që Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i cili ka kaluar përmes krizave të mëdha të brendshme dhe ka qenë nevojtar për të pasur mbështetjen greke për t’u anëtarësuar në NATO dhe emigrantët që janë në Greqi. Në dy dekadat e para, Greqia i ka përdorur emigrantët si një peng dhe një mjet presioni kthimin e tyre, kundrejt shtetit shqiptar. Kohët e fundit është zbehur ky mjet. Pa përmendur mjetet e tjera të presionit në ndërhyrjen e organizmave ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër është pjesa subjektive e liderëve politikë. E para, është mungesa e formimit politik dhe kombëtar, për të vendosur interesat kombëtare mbi pushtetin. Të gjithë këta politikanë kanë marrë recidiva nga sistemi komunist që vendoste interesat e pushtetit mbi interesin kombëtar.

Tek të gjithë këta politikanë duke filluar nga Nano, Berisha, Rama etj., janë evidentuar fenomene të tilla; shkelje të interesave kombëtare në raport me interesat e mbajtjes dhe përfitimin e pushtetit politik.

Të zhytur në rrjetë merimange të zezë korrupsioni dhe duke mos qenë ithtarë të institucioneve demokratike, fenomeni i vjedhjes së zgjedhjeve, dhe Shqipëria është modeli më i keq në rajon. Kjo ka të bëjë edhe me mentalitetin e popullit.

Një popull që shet zgjedhjet ka shkatërruar me duart e veta demokracinë dhe ka sjellë në pushtet demonët e krimit të cilët do ta shtypin edhe më fort se herën tjetër. Të gjitha këto kanë kosto edhe për mirëqenien e qytetarëve brenda vendit, por kanë kosto në çështjen e mbrojtjes së interesave tona kombëtare.

Intervistoi: B. Quku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto