BKH-ja nis zyrtarisht punën, si po ecën proçesi i rekrutimit të hetuesve

14:01 05/09/202010min150
Bkh

Aida Hajnaj, pas marrjes zyrtarisht të detyrës si drejtuese e BKH-së, në ditët në vijim do të nisë punën për rekrutimin e 60 hetuesve që do të jenë pjesë e këtij institucioni. Përzgjedhja e hetuesve të rinj është një nga problematikat kryesore që BKH-ja të marrë plotësisht formë, pasi numri i aplikantëve është i vogël, por edhe procedurat për përzgjedhjen e tyre duan kohën e vet. Momentalisht hetimet do të kryhen nga oficerët e SPAK-ut, të cilët kanë qenë pjesë edhe në kohën e Krimeve të Rënda. Në BKH aktualisht janë vetëm 16 OPGJ, të cilët duhet të hetojnë 180 dosje të regjistruara së fundmi në SPAK.

Byroja Kombëtare e Hetimit nisi dje zyrtarisht punën. Aida Hajnaj, drejtuesja e institucionit më të ri të drejtësisë shqiptare, u takua me kreun e SPAK-ut, Arben Kraja, për t’u njohur me dosjet që janë regjistruar për t’u hetuar. Burime për gazetën “Fjala” bënë me dije se drejtoresha e BKH-së, brenda këtyre ditëve do të hartojë një rregullore të brendshme për mënyrën e funksionimit të institucionit. Gjithashtu, referuar burimeve, mësohet se brenda kësaj jave, numri një i BKH-së pritet të çelë edhe garën për 60 oficerë që do të jenë pjesë e kësaj strukture, e quajtur ndryshe si “FBI-ja shqiptare”.

Zgjedhja e hetuesve të rinj që do të hetojnë të korruptuarit dhe bosët e krimit, është një ndër problematikat kryesore, pasi procedura për rekrutimin e hetuesve do kohën e saj dhe, fatkeqësisht, pritet të zgjasë më shumë se një vit, deri në formësimin e plotë. Edhe pse prej gati një viti KLP-ja ka hapur garën për kandidatët që dëshirojnë të bëhen pjesë e BKH-së, përmes burimeve të saj nga institucioni i akuzës, gazeta “Fjala” ka mësuar se numri i aplikantëve që kanë paraqitur interes për të qenë pjesë e “FBI-së shqiptare”, është mjaft i vogël. Byroja Kombëtare e Hetimit momentalisht do të punojë me të njëjtët oficerë që kanë qenë te Krimet e Rënda. Në dispozicion të BKH-së janë vetëm 16 Oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët do të hetojnë plot 180 kallëzime dhe procedime penale të regjistruara për korrupsion dhe krime të rënda, pas ngritjes së SPAK-ut.

Numri i OPGJ-ve, është mjaft i vogël, krahasuar me numrin e çështjeve që ata duhet të hetojnë, ku mesatarisht një OPGJ-je, i bie që të kryejë veprime hetimore për të paktën dhjetë dosje. Puna për të rekrutuar hetuesit që do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta, do nisë brenda kësaj jave. Sipas infrmacioneve, numri më i lartë i kandidatëve që kanë aplikuar deri tani për t’u bërë pjesë e BKH-së, janë nga radhët e policisë. Mësohet se nga SPAK-u, janë vetëm 5 OPGJ, të këtij institucioni që kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Kandidatët që do të bëhen pjesë e institucionit ku janë fokusuar sytë e të gjithë shqiptarëve do të vlerësohen në bazë të aftësive profesionale, integritetit, por edhe aftësive mendore e fizike. Fillimisht ata duhet të plotësojnë një formular on line dhe deklaratën e pasurisë e të figurës dhe pasi ta kalojnë këtë fazë do t’u duhet të kalojnë dy provime me shkrim, një intervistim me panelin e SPAK-ut dhe një testim fizik e shëndetësor. Nëse puna për përzgjedhjen e kandidatëve do të vijojë me ritme të shpejta, ky institucion, i cili tashmë e ka drejtuesin e tij, në fund të vitit 2020 pritet të marrë plotësisht formë, kurse në fillim të vitit 2021 hetuesit e të ashtuquajturës FBI-ja shqiptare, do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u trajnuar nga amerikanët.

Kriteret që duhet të përmbushë kandidati për hetues në BKH

Rolin kryesor në Byronë e Hetimit do ta kenë hetuesit, të cilët me ndryshimet e reja ligjore, do të jenë personat që do të kenë përgjegjësi për hetimin. Hetuesit e BKH-së do të gëzojnë statusin e oficerit të policisë gjyqësore. Ata do të kryejnë hetime vetëm nën drejtimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Kandidatët për hetues të këtij institucioni do të përzgjidhen pas një procesi rekrutimi. Hetuesit e BKH-së rekrutohen nëpërmjet procesit të konkurrimit të hapur dhe testimeve konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik dhe testimit të aftësive fizike. Megjithatë, ata/ato emërohen nga DBKH vetëm pasi të kenë përfunduar trajnimin përkatës dhe të kenë kaluar me sukses testimin për aftësitë e nevojshme profesionale.

Një kandidat mund të emërohet si hetues vetëm pasi të ketë plotësuar disa kritere. Kriteret që duhet të plotësojë një kandidat që dëshiron të jetë pjesë e BKH-së, nisin me kushtin që të ketë shtetësi shqiptare. Gjithashtu, një hetues i këtij institucioni duhet të ketë kryer arsimin e lartë policor, juridik, apo si economist kontabël, por edhe arsim të lartë në fusha të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në një universitet shqiptar ose të huaj. Një tjetër kriter i rëndësishëm është që çdo kandidat të ketë më shumë se 1 vit përvojë pune në zbatimin e ligjit, apo në një fushë tjetër që ka lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe të ketë përmbushur me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Të gjithë aplikuesit për hetues të Byrosë Kombëtare të hetimit duhet të kalojnë me sukses të gjitha fazat e mëposhtme të përzgjedhjes: të plotësojnë një aplikim on line, përfshirë një CV në formë elektronike, të shoqëruar me dokumente të tjera, si dhe një deklaratë me shkrim mbi motivin për t’u punësuar në Byronë Kombëtare të Hetimit; një provim me shkrim dhe me gojë, ku përfshihen teste të nxënies, sjelljes dhe arsyetimit logjik; një provim i zgjeruar me shkrim, ku maten aftësitë e shkrimit të një raporti, si dhe niveli gjuhësor; një intervistim nga një panel ku maten aftësitë e komunikimit me gojë, si edhe aftësia për t’i komunikuar idetë me efikasitet; një testim i aftësive fizike që mat si forcën, ashtu edhe rezistencën fizike; një hetim i sigurisë së të kaluarës së personit, i cili duhet të konfirmojë se nuk ka dënime penale e nuk është shpallur fajtor në të shkuarën; aplikuesi duhet të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar një testi poligrafi në lidhje me integritetin. Informacioni në raportin e ekzaminuesit të poligrafit në lidhje me intervistën dhe testin do të merret parasysh gjatë procesit të emërimit dhe riemërimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto