Besa Shahini: Shkollat do të hapen në shtator! Shëndetësia: Po detajojmë protokollin anti-COVID

11:37 21/08/20206min148
-785-0-5ee634ae0afae

TIRANE- Shkollat do të hapen. Nxënësit do të rikthehen në bankat e shkollat në vitin e ri shkollor që do të nisë në muajin shtator. Ministrja e Arsimit Besa Shahini u kërkoi sot 61 bashkive të vendit që të nisin pastrimin e shkollave për t’i bërë gati për në shtator. Ministrja Shahini u shpreh se qëllimi është hapja e shkollave për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave të ndryshme, në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, etj.

Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe prandaj kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevoja të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla.

Skenarët janë të ndryshëm, ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i cuare në shkollat më të afërta.

Ne kemi bërë një pilotim të kthimit të nxënësve në shkollë për maturantët në maj, funksionon si proces. Ne mund të ruajmë shëndetin duke i hapur shkollat me shumë kujdes. Gjermania dhe Zvicra i bënë hapjen e shkollave pa bërë shumë ndryshime në strukturat e tyre ndaqë kanë klasë me numër të vogël të nxënësve.

Franca do i ndajë në grupe. Vendet e rajonit do i hapin pjesërisht. Ne duam ti hapim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave, që kanë shkollat duke e kombinuar me mësimin online kur duhet të mbyllet një shkollë, apo një grup shkollash. Bashkitë duhet të fillojnë pastrimin e shkollave dhe përgatitjen për në shtator” tha Shahini.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë, të përcaktuara tashmë nga ekspertët e shëndetit publik. “Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike” tha Manastirliu.

Nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistematike të kryera nga Qendra Europiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se “transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjenës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si psh. në vendet e punës apo vendet argëtuese” tha ajo.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri. “Sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore. Edhe njëherë kërkojmë bashkëpunimin e secilit prej jush për zbatimin e rregullave që na dikton normaliteti i ri, për të kufizuar përhapjen e virusit, duke mos harruar që shëndeti vjen i pari”, tha Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama shkruan se çdo hap drejt hapjes së shkollave dhe mbrojtjen e shëndetit nga ky vendim i vështirë, po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet, për garantimin e masave të distancimit social dhe protokolleve të sigurisë, si edhe vlerësimin dinamik të situatës epidemiologjike në vend. Shkollat në Shqipëri u mbyllën në muajin mars kur filloi pandemia, ndërsa mësimi u zhvillua online.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto