Behauddin GASHI / TERRORIZMI

20:08 17/10/202027min501
behauddin gashi

Paçka hovit të dallgëve të detit mediatik, apo çfarëdolloj forme tjetër të informimit individual, apo publik në lidhje me fenomenin “Terrorizëm”, si dhe reagimeve që sjell diçka e tillë, reagime që për hir të së vërtetës njohin diferenca tepër të mëdha, referuar kjo situatës ekonomike, politikës, besimit, kulturës fetare, formimit në përgjithësi, inteligjencës etj., ajo që mbetet aty dhe nuk lëviz është pikërisht gjendja që ky fenomen përcjell, një realitet që dita-ditës ka më tepër se sa nevojë që të sqarohet dhe të abdetohet popullsia e gjerë me të. Nisur nga kjo, besoj se do t’i bëjë mirë gjithkujt që përkitazi asaj diturie që mund të posedojë, të kuptojë, më shumë se sa të lexojë, këtë gjykim timin të cilin jam munduar ta përcjell sa më shkurtimisht dhe qartë, gjykim islam, por jo vetëm, të cilin e ndiej teksa krejt natyrshëm merr krahë për të fluturuar qiejve të mendjeve njerëzore, për të zënë vend më pas në shpirtrat, zemrat dhe trupat e tyre dhe që in shaa All-llah do ta pasoj periodikisht edhe nga të tjerë…  

Termi “Terrorizëm” vjen nga fjala franceze “terrorisme”, e cila, nga ana e saj rrjedh nga folja latine “terreō”, që do të thotë “frikësoj”; pra tmerr dhe frikë, qeverisje me frikësim, dhunë politike, që hyri në përdorim menjëherë pas Revolucionit francez më 1789-1794. Pas kësaj kohe, termi “Terrorizëm” u fut edhe në fjalorin e vendeve të tjera të botës.

Në të drejtën ndërkombëtare ky nocion përdoret në Konferencën mbi ndërkombëtarizimin e të drejtës penale të organizuar në vitin 1930 në Bruksel të Belgjikës, për t’u tradicionalizuar më pas gjithnjë e më tepër në fjalorin juridik dhe politik etj.. 

Varësisht nga këndi i përdorimit dhe eksplorimit të fjalës, kemi edhe përkufizime të shumta. Kështu, një analist perëndimor terrorizmin e përkufizon si “përdorimi i forcës, me qëllim të frikësimit dhe provokimit të frikës së përgjithshme te njerëzit si dhe të sendërtimit të disa qëllimeve politike”. Një përkufizim tjetër pohon se “Terrorizimi paraqet kërcënimin, dhunën dhe veprimet, luftën e dhunshme, synimi i së cilës në fazën e parë është nxitja e frikës”, kurse një tjetër pohon se “Terrori është krim kundër njerëzimit”

Terrori, në vetvete, në fakt nuk është një krim i vetëm; në të përfshihen pesë krime të tjera. Realisht një terrorist kryen:

1- Krim kundër Krijuesit – All-llahut Fuqiplotë;

2- Krim kundër njerëzimit;

3- Krim kundër individëve të veçantë ndaj të cilëve është adresuar terrori;

4- Krim kundër vetvetes;

5- Krim kundër komunitetit, pjesëtar i të cilit është. 

 

Organizata e Kombeve të Bashkuara problemin e terrorizmit e ka trajtuar vetëm në vitin 1972, kur formoi një Komitet për çështjet e terrorizmit, i cili gjatë viteve vijuese e shqyrtoi problemin e terrorizmit, përkufizimin, motivet, shkaqet etj.. 

Edhe vendet islame e kanë përkufizuar terrorizmin. Konventa e Organizatës së Konferencës Islamike mbi terrorizmin pohon:

“Me terrorizëm nënkuptohet çdo vepër e dhunshme, apo kërcënuese e cila, pa marrë parasysh synimet dhe motivet e kryesve të tij, paraqet plan kriminal të individit apo grupit, me synim të nxitjes së frikës dhe kërcënimit ndaj njerëzve, dëmtimit, rrezikimit të jetëve, nderit, lirisë, sigurisë dhe të drejtave ose kërcënimit me dëmtimin e mjedisit, të të mirave dhe pasurisë së përgjithshme dhe private të njerëzve, me qëllim të frikësimit, përvetësimit, rrezikimit të disa prej resurseve nacionale apo infrastrukturave ndërkombëtare, ose kërcënimi i stabilitetit, integritetit territorial, unitetit politik ose sovranitetit të shteteve të pavarura”.

Fjala “Terrorizëm”, ashtu si dhe në gjuhët dhe vendet e tjera, nuk kishte se si të bënte përjashtim e të mos kalonte edhe në gjuhën dhe vendet arabe. Kështu në gjuhën arabe kemi disa shprehje për të përcaktuar dukurinë e terrorizmit: “Irhab”, “Fetk”, “Guluv” etj.. Por le të ndalemi pak këtu…

Fjala arabe “Irhab” do të thotë: frikësim, tmerrim, kërcënim, dhunë politike. Një fjalë e tillë nuk gjendet në asnjë vend në literaturën islame, përveçse kohëve të fundit. Në Kur’an dhe në Traditën profetike, e hasim fjalën “Tahrib”, e cila do të thotë nxitje e frikës. Po në ç’kuptim? 

Në Kur’an thuhet: 

“Përgatitni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e All-llahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që All-llahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e All-llahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi”.

Kur’an: Surja El-Enfal (Plaçka e Luftës), ajeti 60

Pra, frikësojini armiqtë tuaj me forcën mbrojtëse në mënyrë që ata të mos marrin guxim t’ju sulmojnë juve. Sipas kësaj, termi “Tahrib” nuk mund të identifikohet me terrorizmin. 

 

Termi “Fetk” në gjuhën arabe përcakton mbytjen nga pusia (prita), vrasjen e pabesë dhe neveritëse, vepër kjo e papranueshme kategorikisht nga aspekti islam. Në Kur’an nuk gjejmë ndalesë shprehimore të kësaj dukurie, por këtë e gjejmë në Sunnet të Profetit (Paqja e Zotit qoftë mbi të!), kur thotë: “Besimi nuk lejon dhunën; besimtari nuk mbyt (vret) në pritë (pusi).

Sikurse konkludohet nga përvoja e Profetit Muhammed (Paqja dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të!) dhe e shokëve të tij, Islami nuk e pranon kurrsesi “Fetk-un”: terrorin, vrasjen nëpërmjet pritës.

 

Fjala “Guluv”, mund të konsiderohet sinonim i fjalës “Fetk”. Në Fjalorin “El-Munxhid”, “Guluv” ka këto domethënie: gënjim, mashtrim, dinakëri, mbytje e befasishme, terror, terrorizim. Në fjalorin e Larosit “Guluv” do të thotë: mashtrim, dinakëri dhe vrasje e papritur. Në të tjerë fjalorë ka kuptimin: teprim, stërmadhim, sulm etj.. Mund të përfundohet se fjala “Guluv” deri diku ka përmbajtjen e terrorit, kurse kjo dukuri ndalohet në Islam.

 

Kemi gjithashtu edhe fjalën “Muharib”, e cila do të thotë: frikësim i njerëzve me armë, në mënyrë të hapur, me qëllim të nxitjes së rrëmujës dhe prishjes së rendit. Në përkufizimin e këtij nocioni përdoret fjala arabe “Nas” (njerëz), qofshin këta myslimanë apo jomyslimanë. Dhe pikërisht, kush e përdor këtë lloj frikësimi ndaj myslimanëve apo jomyslimanëve, konsiderohet “Muharib”. Po t’i futemi pak më thellë, do të shohim se kuptimi i fjalës “Muharib”, si sinonim i shprehjes: “El-mufsidu fil-erd” – ai që bën rrëmujë të Tokë – ka përputhshmëri me nocionin “Terror”. Në bazë të kësaj, terroristi është “Muharib”, kurse Kur’ani shumë qartë e përkufizon dënimin për këtë vepër:

“Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër All-llahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, për ata do të ketë dënim shumë të madh”.

Kur’an: Surja El-Ma’ideh (Sofra e shtruar), ajeti 33

Siç edhe kuptohet nga ky ajet kur’anor, Islami kundërshton ashpër dhe përcakton dënime të rrepta për format e ndryshme të dhunës. E pikërisht, terrorizmi është dhunë e paramenduar ndaj masës joluftuese me qëllim ndikimin e opinionit publik për të arritur më pas në goditjen e objektivave me natyrë politike, ushtarake apo ideologjike. Për rrjedhojë, marrin kuptimet e tyre fjalët “Terrorist” dhe “Terrorizoj”.

Terrorizmi konsiston në kryerjen e një krimi nga një individ, nga një grup, apo nga një shtet. Terrorizmi përdoret për të ngjallur te njerëzit një ndjenjë frike e cila në shumë raste është shumë më e madhe se vetë pasojat e vërteta të aktit. Këto akte kanë dy shënjestra: popullsinë ose dikasteret e rëndësishme të një shteti. Midis të tjerash, shkaqet e terrorizmit janë dhe politike, për destabilizimin e një shoqërie, por edhe për hakmarrje. Qëllime të ndryshme kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë. Jo rrallë, shumë ide politike janë instrumentalizuar nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre. Si rrjedhojë grupet terroriste ekzistojnë në çdo ideologji.

Në nëntor 2004, një raport i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e përshkruante terrorizmin si çdo akt “që ka për qëllim të shkaktojë vdekje ose lëndime të rënda trupore ndaj civilëve apo jo luftëtarëve me qëllim të frikësimit të popullatës apo për t’i imponuar një qeverie apo një organizate ndërkombëtare për të bërë ose për të mos bërë ndonjë akt të caktuar”.

Historiku

Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se përhapja e ekstremizmit të dhunshëm është një realitet i cili ka trazuar komunitetin ndërkombëtar në vitet e fundit. Grupe të ndryshme ekstremiste, pavarësisht emërtimeve, ideologjive, apo interesave që i udhëheqin, vazhdojnë të operojnë duke dhunuar drejtpërdrejt “Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut”. Kjo kërcënon dhe gjithashtu pengon seriozisht përpjekjet e shumë shteteve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, nëpërmjet zhvillimit të ekonomive të tyre dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Edhe vendi ynë nuk është i imunizuar nga ekstremizmi i dhunshëm. Tashmë dihet nga të gjithë se vetëm në vitet e fundit, një numër qytetarësh shqiptarë zgjodhën t’i bashkohen DAESH-it dhe të luftojnë jashtë shtetit. Disa prej tyre kanë humbur jetën, disa të tjerë qëndrojnë jashtë kufijve, ndërsa të tjerë janë kthyer. Sot, tema më e nxehtë në lidhje me këtë, bën fjalë për fatin e fëmijëve të këtyre të fundit të cilët kanë mbetur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe për të cilët, kuptohet sipas të gjitha studimeve dhe vlerësimeve të agjensive ligjzbatuese për rastet e këtilla, po punohet fuqimisht nga qeveria shqiptare për t’i riatdhesuar…

  Kombi shqiptar është themeluar mbi vlerat demokratike dhe një traditë bashkëjetese ndërfetare për t’u pasur zili. Mjafton t’i hedhim një sy kalimthi historisë dhe do të kuptojmë fare qartë se mrekullia e të jetuarit bashkë, pavarësisht ndasive të ndryshme fetare, etnike etj., ka gjetur shtratin më të ngrohtë për të lulëzuar në vendin tonë. Si vazhdimësi logjike e këtij fakti dhe për më tepër si domosdoshmëri imperative e shfaqur veçanërisht së sotmi, vizioni ynë i përbashkët duhet të jetë kultivimi i një shoqërie që mbështetet mbi respektin që ndajmë bashkërisht për të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës, barazinë, liritë themelore dhe veçanërisht për lirinë e ushtrimit të fesë.

Mbrojtja dhe përhapja e këtyre vlerave, nga të gjithë aktorët dhe faktorët, ka rëndësi gjithnjë e më të madhe në botën tonë që është përherë në ndryshim, ku kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm nuk njeh kufij.

Le t’i referohemi këtu një problemi të madh ndërkombëtar siç ka qenë dhe mbetet i vetëquajturi “Shteti Islamik” – ISIS. Ky grup ka organizuar qindra sulme në mbarë botën, duke marrë në shënjestër si perëndimorët ashtu dhe arabët e turqit, pra si jomyslimanët ashtu edhe myslimanët. Sipas një hulumtimi të “The New York Times”, ku përjashtohen viktimat e ISIS-it në Irak e Siri, nga aksionet e organizuara, apo të inspiruara nga ky grup, janë vrarë me qindra njerëz në mbarë botën.

Gati gjysma e viktimave janë perëndimorë, ndërsa të tjerët janë civilë myslimanë në vendet arabe dhe në pjesë të tjera të botës, kohët e fundit edhe në Turqi, që janë vrarë nga sulmet në xhami, në ndërtesa qeveritare, tregje, lokale etj….

Realiteti tjetër i terrorizmit të ISIS-it është se, përveç shkaktimit të pasigurisë kronike edhe në zonat më të sigurta të Evropës, ai shkakton edhe çarje në shoqëritë tolerante. Ka synim të godasë bashkëjetesën mes religjioneve, etnive dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Të mbjellë urrejtje të thellë, e cila më pas shërben si katalist për rekrutim të vrasësve kudo.

Për këtë sulmojnë edhe kisha, edhe xhami, edhe media, edhe ngjarje kulturore, edhe festa familjare, edhe restorante! Synojnë të ndërtojnë një hendek aq të madh mes njerëzve, saqë komunikimi i vetëm mes feve, kombeve dhe racave të bëhet vetëm me armë!

Ky është synimi!

Prof. Tarik Ramadan, në një intervistë të tij pak vite më parë në lidhje me ISIS-in, është shprehur:

“Nëse i dëgjoni myslimanët rreth e rrotull botës, ata janë duke e bërë këtë gjë – distancimin. Ne kemi zëra rreth e rrotull botës – në fakt konsensusi brenda komuniteteve myslimane është të thuhet se kjo s’ka të bëjë asgjë me fenë tonë. Nuk mund të themi se ata nuk janë myslimanë, sepse janë duke folur në emër të Islamit, por, nga perspektiva islame, ne e dënojmë këtë gjë. Dhe zërat janë aty! Kështu që mendoj se është shumë e rëndësishme që jo vetëm mos të udhëhiqemi nga këto zëra që pretendojnë ose flasin në emër të Islamit, por, të dëgjojmë shumicën – dhe nuk është shumicë e heshtur. Ka dijetarë anembanë botës dhe njerëz të zakonshëm që dënojnë një gjë të tillë dhe kjo është shumë me rëndësi. Tani, reagimi ynë ndaj kësaj nuk duhet të jetë emocional – dhe kjo është ajo që ata dëshirojnë. Ata dëshirojnë të përhapin frikë në Europë, ashtu që ne të mendojmë: “Oh, ky qenka Islami, kundër perëndimit”! Kjo s’ka të bëjë aspak me këtë, sepse nuk është vetëm një prift i cili është vrarë sot. Keni myslimanë që janë vrarë – e mbani mend çfarë ndodhi në Medine? Në Medine ata shkuan të vrasin myslimanë dhe ata janë duke vrarë myslimanë në Siri, Irak. Kështu që është më e madhe se kjo dhe ne duhet të bashkohemi”.

Terrorizmi – rrezik, apo kërcënim për ne?

Krejt natyrshëm vijmë tek pyetja themelore: terrorizmi përbën rrezik, apo kërcënim për ne?

Përgjigjja është krejtësisht e qartë:

“Terrorizmi sot përbën një kërcënim real për të gjithë, ai është kërcënim për interesat tona shtetërore dhe kombëtare, dhe padyshim, fetare”…

Terrorizmi nuk njeh arsye, logjikë dhe justifikim. Ai nuk ka fé dhe kombësi. Nëse nuk tregohemi vigjilentë mund të manipulohemi e të mashtrohemi, duke i fryrë më shumë zjarrit të tij përvëlues që kërkon gjithmonë e më shumë viktima.

Nuk ka dallim mes terroristëve që vrasin për ideologji, për pushtet apo për para. Nuk ka as dallim mes viktimave qofshin ato të pasura apo të varfra, pariziane ose turke, perëndimore ose lindore.

Nëse nuk arrijmë të ndiejmë dhembshuri njësoj për to, humanizmi ynë është në pikëpyetje…

Sipas kësaj panorame të shkurtër, por tejet të gjallë, nuk duhet të mendohesh shumë për të ardhur në përfundim që terrorizmi është bërë një ankth për çdo individ dhe shoqëri në mbarë botën dhe sikur që na e dëshmojnë sulmet kudo në botë, shteti nuk mund ta garantojë 100% sigurinë nga kërcënimi terrorist. Kjo gjendje, apo thënë ndryshe, ndjenja e sigurisë normalisht që njeh dobësim edhe në vendin tonë. Prandaj përgjigjen nuk duhet kërkuar vetëm te masat e sigurisë, por edhe brenda mekanizmave shoqërorë të parandalimit. Terrorizimi si një krim tejet i rrezikshëm, obligon të gjithë ata që posedojnë njohuri, qoftë fetare, shkencore, praktike, apo informacione në lidhje me terrorizmin, t’i bashkojnë forcat e tyre dhe të veprojnë së bashku për të parandaluar dhe luftuar këtë dukuri shkatërruese. Në Shqipëri, veçanërisht kjo ka të bëjë me mbrojtjen dhe shtimin e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës tradicionale ndërfetare shqiptare, sipas motos që unë, nga këndvështrimi i një myslimani, e kam përkufizuar me këtë poezi:

UNË KAM FENË TIME!…

Unë kam fenë time, ti ke fenë tënde!

Zot kam All-llahun dhe vetëm Atë adhuroj,

për hir të besimit tim, ty kurrë s’të dhunoj!

Le të jetojmë, njëri-tjetrin duke respektuar,

me lirinë tonë që thjesht ka përfunduar,

aty, ku liria e tjetrit zë çelet bekuar…

Bukurinë e jetës e fal paqja dhe dashuria,

aher le t’i bëhemi vuajtjeve m’i miri melhem,

në fund është veç Zoti, Gjykatësi Suprem!

 

Në lagjen “Kala” të qytetit tim, xhamia e kisha qëndrojnë krah për krah. Ashtu si për gjithë Shqipërinë, edhe në Elbasan nuk ka pasur asnjëherë konflikt sado të vogël që të ketë si bazë besimin fetar. Elbasani ndoshta është një nga qytetet e vetme të Shqipërisë që ka më së shumti martesa midis të rinjve të feve të ndryshme, përkatësisht midis djemve myslimanë dhe vajzave të krishtera. Kohët e fundit një fenomen i tillë kaq i spikatur, është shtrirë edhe në fshat. 

Nuk ka eveniment historik, nga Rilindja dhe këtej, pa u realizuar një bashkëpunim i ngushtë mes elementëve patriotikë të feve të ndryshme. Historia tregon se në kryengritjet e vitit 1909 e më pas, që nisën si lëvizje me sens patriotik dhe politik, në çetat përreth Elbasanit, u përfshinë edhe mjaft qytetarë elbasanas myslimanë dhe të krishterë.

Atdheu i thërriste… 

 

Sa e dua Islamin tim, feja që dhuron veç paqe,

që më ndrin e zbukuron, porsi trëndafil në faqe!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto