
Çdo ditë që kalon zvogëlon mundësitë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re tregtare me Britaninë, tha të mërkurën shefja ekzekutive e Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar Londrën se ka “shumë pak kohë” për të arritur një marrëveshje deri në fund të vitit.
Në fjalimin e saj kryesor vjetor të politikës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i kushtoi vetëm disa fjali Brexit, kryesisht duke u përqendruar në rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia e koronavirusit si dhe investimet dixhitale dhe klimatike.
“Me çdo ditë që kalon, shanset për një marrëveshje në kohë fillojnë të zbehen,” i tha von der Leyen Parlamentit Evropian.
Von der Leyen gjithashtu theksoi se BE-ja dhe Britania negociuan dhe ratifikuan marrëveshjen e tyre të divorcit për Brexit dhe paralajmëroi Londrën që marrëveshja “nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme, të mos merret parasysh ose të mos zbatohet”.
“Kjo është një çështje e ligjit, besimit dhe mirëbesimit … Besimi është themeli i çdo partneriteti të fortë,” tha ajo.
Von der Leyen tha se blloku “nuk do të tërhiqet kurrë” nga marrëveshja e divorcit në Mbretërinë e Bashkuar, për të cilën u deshën tre vjet për tu negociuar.
Bisedimet për Brexit tani janë përsëri në krizë ndërsa Kryeministri britanik, Boris Johnson, paraqiti një projektligj të ri të Tregut të Brendshëm në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar që do të shkelë traktatin e divorcit të Britanisë në BE.
Kjo rriti rrezikun e ndarjes ekonomike më të dëmshme dhe pa marrëveshje në fund të vitit kur mbaron periudha e tranzicionit pas Brexit.