Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka njoftuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së do të vazhdojë më datën 5, 6 dhe 7 shtator.

Peter Stano në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të zhvillohet takimi në nivel të lartë, në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.

“Takimi mbahet në nivel të ekspertëve të hënën që vjen. Në takim do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe çështjet e kërkesave financiare dhe të pronësisë”, ka thënë Stano para mediave, përcjell Telegrafi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Ai ka thënë se liderët politikë të hënën do të priten nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i Posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak.