Basha nxjerr videon e Manjola Cakanit: Rama kërcënon si kriminel një qytetare të pambrojtur

20:09 10/09/20204min130
Rama

Kryedemokrati Lulzim Basha duke reaguar për rastin e Manjola Cakonit një nga banoret e prekura nga tërmeti, shkruan se teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund.

Duke iu referuar denoncimit të Manjola Cakonit, sipas së cilës pas intervistës në një televizion është telefonuar nga kryeministria duke i thënë se ishte e turpshme ajo që bëri, Basha shkruan se është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj.

Teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund.

Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshme që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre.

Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar.

Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj.

Fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira.

Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto