Veprimet e shërbimit sekret turk MIT (Millî İstihbarat Teşkilâtı) në Austri nuk janë një rast i izoluar. Në të gjithë Evropën MIT përpiqet të rekrutojë informatorë nga qarqet e imigrantëve që të mbikëqyrin kundërshtarët e Presidentit turk Rexhep Erdogan dhe t’u bëjnë atyre presion. MIT është veçanërisht e pranishme atje ku ka një përqendrim të lartë të turqve jashtë vendit dhe qyetarëve me origjinë turke.

Pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016, për të cilën akuzohet predikuesi Fethullah Gylen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, MIT i ka intensifikuar veprimet e tij në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës. Kështu në verën e vitit 2016 qeveria turke publikoi një adresë ku supozohej se jetonte Adil Öksüz në Berlin. Öksuz thuhet se ka qenë një figurë qendrore e grushtit të shtetit dhe ka kërkuar azil në Gjermani. Adresa me sa duket është gjetur prej informatorëve të shërbimi sekret turk në Berlin.

Rasti më spektakolar ndodhi në mars 2018 kur agjentët e MIT në Kosovë nxorën gjashtë mbështetës të dyshuar të Gylenit nga makinat e tyre dhe i çuan ata në Turqi. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut mendohet se midis vitit 2016 dhe 2020 MIT ka rrëmbyer 31 vetë. Aksionet e MIT shtrihen nga Zvicra, në Kosovë, Ukrainë, Republika e Moldavisë deri në Kazakistan, Azerbajxhan, Malajzi, Pakistan, Gabun dhe Mianmar.

Austria nuk dëshiron të përfshihet në këtë listë. Ministri i Brendshëm Nehammer dhe Ministrja e Integrimit Susanne Raab e bënë të qartë këtë në konferencën e posaçme për shtyp të martën (01.09): “Austria është vënë në shënjestër të spiunazhit turk. Shërbimi sekret turk ushtron ndikim mbi individë, shoqata dhe xhami. Krahu i gjatë i Erdogani arrin deri në lagjen Favoriten në Vjenë dhe  është helm për integrimin. Ne nuk e tolerojmë këtë ndikim “. Se ç’masa mbrojtëse synon të marrë Austria mbetet e hapur. /DW/