Arben Malaj/ Përballë valës së dytë të pandemisë, çfarë (nuk) mësuam?

13:42 09/11/202010min88
Arben-Malaj-600x338-1-1

Kriza e pandemisë është sot përballja më e vështirë për çdo vend dhe në nivel global. Paniku që krijoi shfaqja e papritur edhe e menjëhershme e pandemisë, paqartësitë dhe pasiguritë për përmasat dhe kohëzgjatjen e saj, janë pasojat që do të na bashkëshoqërojnë për një periudhë jo të shkurtër. Vala e parë na gjeti të papërgatitur, si në përballjen mjekësore, dhe në bashkëjetesën me pandemitë. Ofrimi paketave antipandemi synuan tre objektiva kryesorë: ruajtjen e vendeve të punës e të të ardhurave të punëtorëve; mbrojtjen sociale për të papunët dhe të varfrit; dhe mbështetjen për reformat strukturore për një ekonomi të shëndetshme. Ekspertët vlerësojnë se vala e dytë ndryshon nga e para në 4 aspekte kryesore: (i) do të jetë më pak universale, shkollat dhe aktivitetet prodhuese që do të vijojnë aktivitetin për aq kohë sa të jetë e mundur; (ii) do të jetë më pak uniforme, vendet kanë specifikat e tyre; (iii) mund të jetë më e vështirë për familjet në nevojë, teksa qeveritë do të jenë të paafta ose jo të gatshme të përsërisin paketat e mëdha të lehtësimit fiskal, që e zbutën disi goditjen e valës së parë; dhe (iv) bllokimet e valës së dytë do të përballen me një rezistencë shumë më të hershme nga segmente të pakënaqura të popullsisë”.

Por ndërsa përballja shëndetësore kushtëzohet nga vaksina, përballja me kostot e rënda të papunësisë, varfërisë, falimentimit të bizneseve dhe ristrukturimit konkurrues të ekonomisë, do të kërkojnë reformat strukturore – vaksinat për një ekonomi të shëndetshme. Reformat strukturore duhet të mbështeten në tri kolona kryesore: tek ekonomia e gjelbër, që redukton pasojat negative të ngrohjes globale, ruajtjen dhe rritjen e burimeve për gjeneratat e ardhshme; te ristrukturimi drejt ekonomisë së dijes si burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave, pasi ekonomia e dijes deri në 2022-shin do të krijojë rreth 133 milionë vende pune nga rreth 75 milionë që redukton robotizimi dhe automatizmi. Janë rreth 58 milionë vende pune të reja me paga dinjitoze. Ekonomia e dijes do të reduktojë, por edhe kompensojë goditjet e jashtme në sektorët tradicionalë të ekonomisë reale dhe investimi për dixhitalizimin. Infrastruktura dixhitale merr prioritet, sepse ndërsa infrastruktura fizike lehtëson lëvizjen e mjeteve, infrastruktura dixhitale lehtëson përhapjen e dijes. Kjo rrit barazinë e mundësive, pasi hapësirat për punë, biznes dhe konkurrim janë të pafundme.

Çfarë mësuam nga vala e parë? Mësuam që:  (i) pandemitë do të jenë të përhershme; (ii) pandemitë mbërrijnë te ne menjëherë, pavarësisht se sa larg është vatra e shfaqjes së tyre; (iii) efektet negative të pandemive me pasiguritë dhe paqartësitë, mund të mbijetojnë më gjatë se pandemitë; (iv) mbyllja e pastudiuar e vendit përshpejton falimentimin e shumë bizneseve, rrit papunësinë, varfërinë dhe thellon pabarazinë; (v) pandemia cenoi dhe dobësoi kohezionin dhe solidaritetin social, duke rritur polarizimin shoqëror; (vi) gjatë pandemisë u favorizuan autokratët dhe në vende me institucione të dobëta u rrit ndjeshëm korrupsioni dhe kapja e shtetit.

Çfarë nuk mësuam nga vala e parë? Nuk mësuam se: (i) fitorja mbi pandemitë është detyrë jo vetëm e qeverive; (ii) strategjitë e përfshirjes së popullatës në këtë përballje të vështirë janë më produktive se penalitetet; (iii) asnjë pandemi nuk mund të mundet pa një bashkëpunim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar; (iv) politikat monetare dhe fiskale janë të pamjaftueshme për të ndalur rënien e shpejtë, ringritjen dhe rimëkëmbjen e ekonomisë; (v) pritshmëritë kanë ndikim të konsiderueshëm për konsumin dhe investimin privat – politikanët tanë, me agresivitetin reciprok i kanë dëmtuar pritshmëritë; (vi) paketat mbështetëse kundër pandemisë nuk janë “dhurata qeveritare”, por politika sociale të detyrueshme për të zbutur plagët sociale të krizave. Në këtë kontekst, kërkesa e Bankës së Shqipërisë për qeverinë që të mos marrë borxh në 2021-shin për shpenzime por vetëm për investime, kërkonte që BSH-ja të qartësonte se në këtë detyrim nuk duhet të përfshihet mosrritja e shpenzimeve për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Është vërtetuar edhe në praktikë se rritja e mbështetjes për të papunët dhe të varfrit është pjesë e politikave fiskale ekspansioniste kundërciklike. Multiplikatori i këtyre shpenzimeve është më i lartë se të tjera, sepse gati 100% e paketave pro të varfërve dhe të papunëve destinohen për konsum të menjëhershëm që rrit kërkesën agregate në ekonomi, ndërsa rregullimi i “çatisë” – reduktimi i deficiteve dhe borxheve të larta – duhet të bëhet në ditët me diell; (vii) heqja e parakohshme e “spinës” së frymëmarrjes së intubuar të ekonomisë rrezikon përkeqësimin e shëndetit të saj. Qeveria shqiptare e hoqi “spinën” – aplikimin e paketave pro të varfërve, pro të papunëve dhe pro bizneseve – shumë shpejt, vetëm tre muaj pas shfaqjes së pandemisë. Prandaj, rënia e ekonomisë sonë është më e madhe se e vendeve të tjera, ndërsa ringritja më e ngadaltë. Në tetor 2020, FMN-ja dhe BB-ja parashikuan se ekonomia shqiptare do të bie në rreth -8% në 2020-ën, ndërsa në 2021- shin rritja do të jetë 4.5 deri në 5% të PBBsë, ose rreth 2.4 herë me pak se parashikimi i parë; (vii) deficiti dhe borxhi publik janë të rëndësishëm, por financimi i sistemit shëndetësor dhe financimi i skemave të mbrojtjes sociale për të papunët dhe të varfrit nuk mund të braktiset nën “përgjegjësinë” e uljes së deficitit apo borxhit; (viii) bashkëjetesa midis krizave (pandemive) dhe mbajtjes gjallë të aktivitetit ekonomik e shoqëror nuk do të jetë një përjashtim, por një ndjesi dhe sfidë e përhershme që nuk duhet kurrë të na gjunjëzojë; (ix) forcimi i shtetit ligjorë është prioritet jetik për vendet e varfra dhe në zhvillim, ku ka nivele të larta të korrupsioni dhe kapjes së shtetit, dhe (x) fatkeqësisht nuk kemi mësuar akoma se vaksina më e mirë dhe lehtësisht e gjetshme kudo dhe pa kosto është dashuria dhe solidariteti njerëzor ndaj të sëmurëve, të papunëve, të varfërve dhe ndaj njeri-tjetrit.

Pa dashurinë njerëzore, pa kohezionin dhe solidaritetin social, ne nuk mund t’i fitojmë kurrë përballjet me pandemitë, bile edhe kur vaksina të jetë funksionale. Duke përballur ato që mësuam dhe ato që nuk mësuam nga vala e parë, ne mund të jemi më efektivë në përballjen me valën e dytë të pandemisë dhe rishfaqjet e tyre periodike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto