Arben Malaj për Fjala.al: Ekonomia nuk mund të ringrihet pa ndihmën e konsumit dhe investimeve

13:40 05/09/202022min93
Arben-Malaj-600x338-1
Ish ministri i financave ka publikuar ne profilin e tij në rrjetin social facebook intervistën e tij dhënë për Fjala.al , në të cilën Malaj ka thseksuar se ekonomia nuk mund të ngrihet pa ndihmën e konsensusit dhe investimeve:

 

Arben Malaj

1h

Sebashku me kolegun Civici per gazeren “Fjala” nje analize per perballhen me pandemine. Fundjave te bukur!!Arbeni

Image may contain: 1 person, text that says '88% Gazeta FJALA 5 Shtator online.fliphtml5.com 9:25 AM EHOR EKONOMI FLASIN EKSPERTET 5STATOR2020 Pasojat e pandemise: Ja si mund te ringrihet ekonomia SHITET BIZNESI Adrian Civici: Goditjen me te rende nga kriza COVID-19e pesuan bizneset vogla ்ர త'
Image may contain: one or more people and text

Ekonomia shqiptare po vazhdon t’i ndiejë çdo ditë e më tepër goditjet nga kriza e COVID-19. Aktualisht, cilët janë sektorët apo aktivitetet që po i vuajnë më shumë pasojat negative?

Bazuar në natyrën e panatyrshme të krizës së COVID-19, si edhe nga dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, ishte paralajmëruar se ekonomia shqiptare do të dëmtohej rëndë, në qoftë se do të përballej me një krizë të re. Prandaj rënia ekonomike në Shqipëri, e parashikuar në nivel nga minus 9% të GDP-së deri në 12 % të saj, rezulton më e larta midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga mbyllja totale e kufijve dhe ndërprerja e zinxhirit global të mallrave, sektorët më të prekur direkt në ekonominë shqiptare janë: turizmi, fasoni dhe eksportet.

Indirekt COVID-19 ka një ndikim negativ edhe në sektorë të tjerë, si bujqësia, agrobiznesi dhe agro-turizmi dhe disa sektorë të shërbimeve. Ajo që nuk duhet nënvleftësuar dhe duhet përthithur si një mundësi në rritje, është fakti se sektori tradicional i shërbimeve është prekur ndjeshëm, por është rritur më shumë sektori i shërbimeve në ekonominë e dijes, ku kreun e vendit e zënë shërbimet on line në industrinë bankare dhe financiare, shitjet on-line. Shërbimet on-line për kujdesin shëndetësor dhe të mirarsimimit, do të krijojnë më shumë vende pune e, ndoshta, edhe me paga më të larta se sektori tradicional i shërbimeve. Jo rastësisht “Amazon” vlerësohet kompania që është rritur më shumë si volum pune dhe si fitime, gjatë COVID-19.

Goditja e turizmit ka sjellë efekt domino në ekonomi. Kjo bazuar në faktin që rënia me 70-80% e numrit të turistëve do të thotë rënie me 70-80 % e “konsumit turistik”. Bazuar në tregues të qeverisë për vitin e kaluar, ishin rreth 5 milionë turistë, rezulton se në 2020 janë ose 3,5 deri ne 4 milionë më pak turistë, pra janë rreth 4 milionë më pak konsumatorë të shërbimeve turistike, por edhe të prodhimeve të bujqësisë, agroturizmit dhe agrobiznesit. Efekte negative ka edhe shërbimi i transportit, nga taksitë deri te transporti në shërbim të turistëve. Mbyllja e dëmtoi rende industrinë e fasonit dhe solli goditje të rëndë në uljen e punësimit dhe rritjen e papunësisë.

Mbyllja ndoshta ka ulur edhe konsumin e produkteve të fasonit që janë mallra konsumi, si këpucë dhe veshje. Këtu humbjet financiare bëhen të rënda për keto kompani dhe duhen paketa mbështetëse për të amortizuar kostot e COVID-19. Eksporti i mineraleve është goditur nga rënia e kërkesës së përgjithshme / kërkesës agregate në tregjet globale. P.sh., ka të dhëna për uljen e shitjeve të autoveturave, por kjo mund të gjendet edhe në rënien e përgjithshme të aktivitetit ekonomik, e cila redukton nevojat për naftë, por edhe për minerale, si kromi, hekur nikeli, bakri etj.

Pikërisht se ra konsumi i naftës dhe kostoja e rinisjes së nxjerrjes pas ndërprerjes, ishte shumë e lartë, çmimet e naftës rezultuan në bursa me vlerë negative, sepse kompanitë e prodhimit paguanin depozituesit për të rritur kapacitetet depozituese, vetëm që ata të mos ndërprisnin prodhimin. Dëmtimi i sektorit të eksporteve, veç rritjes së papunësisë uli investimet e huaja direkte në sektorin e energjisë dhe uli të ardhurat në valutë.

Duket se goditjen më të rëndë e kanë ndier dhe vazhdojnë ta ndiejnë veçanërisht bizneset e vogla. Përse po ndodh një dukuri e tillë?

Goditja te biznesi i vogël vjen nga rënia e blerëseve, si për shkak të tkurrjes së popullsisë, sidomos nga emigrimi i fuqisë aktive të punës, por edhe nga rritja papunësisë dhe varfërisë. Kjo sepse mbështetja buxhetore për papunësinë, paaftësinë dhe varfërinë është në nivel mbijetese. Kriza COVID-19 dëmtoi të ardhurat e disponueshme të konsumatorëve dhe fuqinë konsumatore dhe investuese të bizneseve.

Shqetësuese në vitet e ardhme do të jenë trendet demografike të vendit, pasi paqartësitë dhe pasiguritë në rritje nga COVID-19 po ushqehen edhe nga kriza e keqqeverisjes dhe kriza e gjatë politike në vend. Nxitja e konsumit që mund t’i ushqejë shitjet e bizneseve të vogla, kërkon politika aktive të punësimit dhe politika efektive të kohezionit dhe solidaritetit social. Pa u rritur të ardhurat e disponueshme të shqiptarëve, është e vështirë të shpresosh se mund të ketë rritje të konsumit të popullatës. Ndërsa rritja e konsumit nëpërmjet rritjes së borxheve, sidomos të borxheve me kredi konsumatore që ka kosto të rënda / norma të larta interesi, mund të ushqejë një krize të re financiare për individët dhe familjet e tyre.

Si shpjegohet fakti që bizneset e mëdha dhe një pjesë e bizneseve të mesme u treguan më rezistente ndaj krizës dhe tashmë duken relativisht më të stabilizuara e jashtë rreziqeve të rënda në perspektivën afatshkurtër e afatmesme të zhvillimit të tyre?

Duhet të pranojmë se në ciklin ekonomik ka një ndërlidhje midis biznesit të madh, të mesëm dhe të vogël, sidomos lidhur me punësimin dhe konsumin. Biznesi i madh dhe i mesëm me të ardhurat nga punësimi dhe me blerjet e mallrave dhe shërbimeve nga biznesi i vogël, ushqen rritjen e tij. Gjatë krizave, kur biznesi i mesëm dhe i madh teshtin, biznesi i vogël tronditet. Biznesi i mesëm dhe i madh ka më shumë ekspertizë për t’i identifikuar risqet e goditjeve të jashtme, të njohë dhe të aplikojë për paketat lehtësuese apo kreditë e buta me garanci sovrane, por mbijetesa e tyre do të kushtëzohet nga investimi që do të bëjnë, që bizneset e tyre të jenë sa më konkurruese dhe sa me vibrante përballë goditjeve të jashtme dhe krizave të brendshme.

Qeveria me politikat e saj proaktive të punësimit, me reformat strukturore të mirëqeverisjes duhet t’i lehtësojë bizneset nga çdo kosto shtesë administrative, tatimore, por edhe nga kostot e keqqeverisjes dhe bllokimi i procesit të integrimit evropian. Bllokimi i këtij procesi mund t’i zbehë apo spostojë jo vetëm në kohë, investimet serioze vendase dhe të huaja, duke vonuar apo dëmtuar ristrukturimin produktiv të ekonomisë shqiptare, pasi ekonomia jonë, siç tregoi edhe goditja nga COVID-19 është shumë vulnerabël përballë luhatjeve dhe goditjeve nga jashtë, por dhe nga krizat sociale e politike në vend.

Kjo goditje kaq e rëndë ndaj biznesit në përgjithësi është totalisht e shkaktuar nga kriza e koronavirusit, apo kjo krizë, në një farë mënyre, përshpejtoi dhe thelloi një moment të vështirë që po kalonte ekonomia dhe bizneset në Shqipëri?

Tërmeti i 26 nëntorit dhe COVID-19 kanë impaktin e tyre negativ mbi ekonominë shqiptare, por edhe pa këto Shqipëria po ecte në mënyrë të papërgjegjshme drejt një krize të borxheve të rënda të 4P-ve / partneriteteve publike private preferenciale. Rënia e rritjes ekonomike kishte filluar që përpara tërmetit, borxhi po rritej, borxhi i fshehur dhe i falsifikuar, nëpërmjet “novacioneve financiare” po behej shqetësim i shprehur edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Qeveria po injoronte çdo kërkesë të tyre për të rishikuar 4P-të dhe për të ulur kostot e rënda dhe afatgjata të partneriteteve publike private preferenciale, si edhe të korrupsionit epidemik dhe kapjes së shtetit.

Duke i gjykuar tashmë “post-factum” paketat ndihmëse e mbështetëse të qeverisë shqiptare, si mund të vlerësohet eficenca dhe efekti i tyre në mbrojtjen e ekonomisë dhe biznesit për përballimin e efekteve të krizës?

Paketat e qeverise shqiptare ishin të paqarta, të pamjaftueshme dhe joefektive. Një studim i financuar nga fondacioni Soros në Shqipëri, që analizon strukturën madhësinë dhe efikasitetin e paketave anti-Covid, evidenton disa probleme konkrete që qeveria duhet t’i marrë në konsideratë dhe të bëjë korrigjimet dhe përmirësimet e nevojshme.

Çfarë duhet të bëjmë përballë kësaj situate mjaft shqetësuese? Cilat janë politikat dhe masat mbështetëse më të përshtatshme, për ta përballuar këtë gjendje dhe për t’u rikthyer në normalitet?

Lidhur me paketat anti-Covid, ato duhet të nxisin punësimin me fokus kryesor jo pagesën e luftës, por subvencionimin pjesor të pagave për kompanitë që mbajnë mbi 85% të punonjësve të tyre. Lufta më e mirë kundër papunësisë është punësimi, pagesa e papunësisë duhet të jetë sa më e shkurtër në kohë, ndërsa trajnimi dhe ritrajnimet duhet të ngushtojnë mospërputhjet midis ofertës dhe kërkesës së punës që ushqehen nga problemet strukturore të ekonomisë shqiptare. Pagesa për varfërinë duhet të jetë e qartë, e denjë dhe sa më efektive, pasi ajo ka një efekt të ndjeshëm në ulje e arsyeve të arsyeshme të braktisjes së vendit.

Ekonomia shqiptare nuk mund të ringrihet pa ndihmën e konsumit dhe investimeve të individëve dhe biznesit. Mbështetja e biznesit duhet të jetë e drejtpërdrejtë dhe në masën e nevojshme. Për shkak se garancia sovrane eci shumë ngadalë, duhet përdorur me përgjegjësi dhe efikasitet ndihma shtetërore për kompanitë publike, siç po e aplikojnë shumë vende të BE-së.

Çfarë masash duhet të marrë qeveria për rimëkëmbjen e ekonomisë gjatë dhe post-Covid? Pse po heziton të miratojë paketën e rimëkëmbjes, të premtuar që në fund të majit?

Më duhet të ritheksoj publikisht se përballja e suksesshme me COVID-19 duhet të ketë në qendër të saj efektin pozitiv lidhur me përditshmëritë. Kjo nënkupton që mazhoranca duhet të bëjë maksimumin që të eliminojë paqartësitë dhe pasiguritë që ushqehen nga ambienti i rënduar social dhe politik në vend. Ajo duhet të bëjë të pamundurën për të eliminuar çdo vonesë apo pengesë në procesin e integrimit evropian të vendit, duke filluar nga plotësimi i 15 kushteve dhe eliminimi i krizës aktuale që po vonon apo bllokon çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, gjatë presidencës gjermane.

Pa këto parakushte dhe pa luftuar korrupsionin epidemik dhe kapjen e shtetit, asnjë paketë financiare, sado e madhe të jetë, nuk e ndihmon ekonominë shqiptare të ndalë përkeqësimin e saj, të fillojë ringritjen dhe t’i kthehet sa më parë rritjes ekonomike të shëndetshme. Kjo për një arsye fare të thjeshtë. Pasiguritë dhe paqartesitë për ecurinë e COVID-19 janë shtuar edhe nga pasiguritë për zhvillimet politike në vend dhe nga risku i zgjatjes së krizës politike aktuale, e cila mund t’i sigurojë Ramës mbijetesë të përkohshme, por e bën krizën aktuale më të rëndë dhe më të gjatë.

Somario:

Mazhoranca duhet të bëjë maksimumin që të eliminojë paqartësitë dhe pasiguritë që ushqehen nga ambienti i renduar social dhe politik në vend. Ajo duhet të bëjë të pamundurën për të eliminuar çdo vonesë apo pengesë në procesin e integrimit evropian të vendit, duke filluar nga plotësimi i 15 kushteve dhe eliminimi i krizës aktuale që po vonon apo bllokon çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, gjatë presidencës gjermane. Pa këto parakushte dhe pa luftuar korrupsionin epidemik dhe kapjen e shtetit, asnjë paketë financiare, sado e madhe të jetë, nuk e ndihmon ekonominë shqiptare të ndalë përkeqësimin e saj. /Ra.My.Fjala.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto