Arben Malaj: Ja pse duhet të ndalohen koncesionet para zgjedhjeve, pandemia dhe babëzia po fusin ekonominë në kolaps

14:47 01/09/20209min99
-800-0-5f4de4cbd1410

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar situatën politike dhe ekonomike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek shumë çështje. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-ministri Malaj ritheksoi edhe një herë se është e domosdoshme që të ndalohen koncesionet para zgjedhjeve, duke nënvizuar edhe arsyet se përse mendon kështu. Duke u ndalur tek pandemia e Covid-19 dhe impakti që ka shkaktuar ky virus që ka mbërthyer vendin prej gati 6 muajsh, zoti Malaj u shpreh se pandemia dhe babëzia e qeverisë “Rama” po fusin ekonominë në kolaps. Sipas tij, masat e qeverisë për t’i ardhur në ndihmë sektorëve të prekur nga kriza e pandemisë nuk janë efektive. Nga ana tjetër ish-ministri Malaj që tanimë është atashuar pranë Partisë Agrare Ambientaliste, theksoi se procesi i rindërtimit nuk po ecën me ritmin e duhur.

-Profesor Malaj, ju keni bërë një deklaratë të fortë, teksa keni kërkuar që një vit para zgjedhjeve të ndalohen koncesionet. Çfarë ju shtyhu që të bënit këtë propozim?

Sepse në vendet me institucione të dobëta partneritete publike private preferenciale (4P-të), janë forma më e përhapur dhe më e rëndë për kostot e tyre afatgjata të korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Qeveritarët/shtetarët e korruptuar fusin në borxhe të mëdha dhe të rënda taksapaguesit e tyre. Kjo po ndodh aktualisht edhe në Shqipëri dhe po thellohet gjatë vitit të fundit të mandatit 8 vjeçar të dështuar të qeverisë “Rama”.

-A i adresohet dikujt kjo thirrje, apo shkon bashkë si për pushtetin vendor ashtu dhe qendror?

Përderisa edhe bashkitë po përdorin 4P-të dhe përderisa edhe në disa bashki korrupsioni dhe kapja e shtetit konstatohet lehtësisht, ky parim duhet t’i përfshijë të dyja si qeverinë dhe bashkitë.

-Prej gati 6 muajsh vendi po përballet me pandeminë e Covid-19. Si e shihni menaxhimin e situatës nga institucionet shtetërore?

Shikoni se sa vende e kanë bllokuar lëvizjen e shqiptarëve, krahasuar me vendet e tjera dhe kuptoni përgjigjen e pyetjes tuaj.

-Po paketat financiare të akorduara nga qeveria për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë dhe bizneseve të prekura nga kriza a ju duken normale?

Të paqarta, jo në madhësinë e duhur dhe jo efektive. Sapo ndodhi pandemia u tolerua rritja e borxheve për çdo qeveri. Kjo rritje kishte tre prioritete. E para: Mbështetjen e nevojshme financiare për shëndetësinë në logjistikë, medikamente dhe personel. E dyta: Mbështetje për të pa punët dhe të varfrit si detyrim jo vetëm moral për kohezion dhe solidaritet social (detyrim ligjor) për t’ju siguruar atyre mbështetjen e nevojshme financiare që askush të mos ndjehet i braktisur që të mos nxitet dhe rritet braktisja varfëruese e Shqipërisë.

-Ju jeni një ndër ekspertët më të mirë të ekonomisë. Kush janë sipas jush sektorët më të rrezikuar nga kriza ekonomike dhe ku duhet të fokusohet mbështetja financiare?

Është e qartë për të gjithë se përderisa pandemia imponoi mbyllje total të kufijve, por ndërpreu edhe zinxhirin global të mallrave dhe shërbimeve, sektori i goditur më rëndë është turizmi. Nëqoftëse vlerësohet se fluksi turistik këtë verë ka rënë me 70 deri 75 %, po kaq është goditur bujqësia, agrobiznesi dhe agroturizmi. Kjo sepse janë 75% konsumatorë të shërbimeve turistike, por edhe të konsumit dhe shërbimeve t’i mungojnë këtë vit ekonomisë shqiptare. Duhet një analizë më e thelluar e bilancit tregtar dhe bilancit të llogarisë korrente për të qartësuar raportet e konsumit midis prodhimeve vendase dhe të importit. Kriza ka goditur rëndë edhe shërbimet e tjera si në transport, telekomunikacion, etj. Sektori i dytë më i goditur është fasoni, ku efekti më i madh është tek rritja e papunësisë. Sektori i tretë është eksporti i mineraleve naftë, krom e të tjerë, sepse ra kërkesa dhe konsumi në tregjet ndërkombëtare.

-Sa rrezikohemi që kriza pandemike të na çojë në një kolaps total të ekonomisë?

Unë shpresoj shumë që ne nuk do të arrijmë në kufijtë e kolapsit total, por rënia ekonomike 9% dhe rritja e lartë e borxhit do të jenë një sfidë jo e lehtë, jo e lirë dhe jo afatshkurtër. Qeveria pa apo me vetëdije po e çon vendin drejt një krize të borxhit të lartë dhe të rëndë.

-Një tjetër çështje që ka shkaktuar debate është projektligji për amnistinë fiskale dhe penale i propozuar nga qeveria. Për qytetarët e thjeshtë çfarë nënkupton kjo nismë?

Kjo amnisti edhe sipas raporteve të fundit ndërkombëtare tregon se qeveria synon t’iu pastrojë paratë kriminale kompanive të mëdha dhe bosëve të tyre, disa prej të cilëve janë partnerë edhe në fitoret elektorale me vjedhje të votave. Ndërsa qytetarët, emigrantët, individët që mund të kenë para gri, para informale, përndiqen plot zhurmë mediatike për të fshehur dështimin për të luftuar paratë kriminale që korrupton politikanët dhe kap shtetin, duke e vënë në shërbim të tyre dhe duke përkeqësuar qeverisjen e tij. Arroganca dhe babëzia, krushqia me kriminelë dhe promovimi i tyre në politikë nëpërmjet Rilindjes që është burimi kryesor pse shqiptarët po e braktisin gjithnjë e më shumë atdheun e tyre.

-A rrezikon që përmes këtij ligji të ligjërohen paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Risku edhe i lartë dhe real. Zgjidhja, të bllokohet ligji që ofron amnisti penale dhe financiare. “Amnistia penale” duhet të jete vetëm me vendim gjykate dhe vetëm për rastet kur hetime të caktuara nuk gjejnë lidhje kriminale midis pasurisë fizike dhe monetare të krerëve të “bosëve”, pro qeveritarë dhe burimeve të tyre kriminale.

-Po në lidhje me procesin e rindërtimit keni një koment si po shkon?

Sipas buxhetit faktik korrik 2020, financimet nga donatorët e huaj kanë rënë, pra financimet e konferencës së donatoreve janë simbolike si me shumën e premtuar edhe në raport me marketingun propagandistik të qeverisë dhe bashkisë. Marketing që ka kosto të rëndë financiare dhe kosto më të rëndë politike, sepse mbi fatkeqët e tërmetit synon të fshehë realitetin e hidhur të dështimit të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto