“Akuzohem deri në pikën ku detyrohem të…”, Olsi Rama “kundër” vëllait: Duhet ligj si në Kosovë, Partizani nuk është…

00:23 13/09/20205min119
RAMA

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, nuk është plotësisht dakord me vendimin dhe kërkesat e klubeve të Superiores kundrejt qeverisë. Mungesa e dialogut dhe kërkesat e paplotësuara nga qeveria që drejtohet nga vëllai i drejtorit të Partizanit, kryeministri Edi Rama, bënë që Kategoria Superiore të bojkotojë startin e kampionatit që ishte planifikuar për sot. 

Në një prononcim për kanalin televiziv “Euronews”, Olsi Rama bojkotin e konsideron masë ekstreme, por kur të gjitha klubet janë bashkë, quhet vendimmarrje e duhur. “Është e vërtetë që bojkoti është sigurisht një masë ekstreme, them unë në këtë moment, por derisa klubet e panë të nevojshme ta bënin këtë, që të dëgjoheshin dhe që kishte një unanimitet në vendimmarrje, them që ka qenë masa e duhur”, u shpreh fillimisht drejtori i të kuqve.

LEHTËSIRAT FISKALE – Olsi Rama është pro ligjit të sponsorizimit, ku në këtë rast është në kah të kundërt të vëllait kryeministër, ku edhe ai është i mendimit se duhet kopjuar modeli i Kosovës, por Rama është kundër faljes së gjobave, pasi klubi që ai drejton ka qenë gjithnjë i rregullt duke zbatuar ligjet. “Mund të jap shembullin e Kosovës, që është një vend që ka aplikuar një ligj favorizues për zhvillimin e sportit. Po shohim që dita-ditës klubet kosovare po konkurrojnë me Superligën shqiptare, duke tërhequr edhe futbollistë cilësorë.

Paketa e ndihmës ose paketa e favorizimeve fiskale ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Komuniteti i sportit ka bërë kërkesa, sepse është ndier një nevojë për një hap cilësor të sportit dhe legjislacioni aktual nuk është favorizues, sidomos për bizneset që duan të investojnë në sport. Për arsye, sepse deri tani sporti nuk është një produkt aq i shitshëm. Për ta bërë këtë, duhet që bizneset të ndihmohen me favorizime fiskale. Duhet patjetër ndihmesa fiskale.

Me e rëndësishme nga të gjitha është pjesa e ligjit të sponsorizimit, që bizneset të hyjnë në futboll dhe të rrisin investimet. Të gjitha janë të rëndësishme. Unë personalisht nuk jam dakord për faljen e gjobave, sepse Partizani ka qenë një klub shembull dhe ne kemi paguar në mënyrë të rregullt të gjitha tatimet”, vijoi Olsi Rama.

Olsi Rama ne tribune

TRUKIMET – I pyetur se cilat janë arsyet që i çojnë disa klube drejt trukimeve, drejtori i Partizanit u shpreh: “Duhet parë te vetja dhe nuk identifikohem me ato probleme. Është e vërtetë që po flitet shumë për shitje apo blerjen e ndeshjeve, por Partizani nuk ka qenë asnjëherë aktor apo faktor në këtë.

Kanë munguar mundësitë, që ata që financojnë futbollin, nuk kanë pasur mundësi ta financojnë në mënyrën e duhur. Qëllimi asnjëherë nuk e justifikon mjetin, por nganjëherë nevoja i bën njerëzit të bëjnë gjëra të dëshpëruara”, u shpreh Rama.

PËRFITIMET SI VËLLAI I KRYEMINISTRIT – I pyetur nëse ka përfituar nga fakti se është vëllai i kryeministrit, Olsi Rama u përgjigj: “Absolutisht jo, sepse Partizani nuk ka pasur asnjë tender dhe një terren sportiv që ka pasur që përpara shumë e shumë vitesh, dihet se u ndërtuan pallate dhe ai terren sportiv për të zhvilluar akademinë i është dhënë që përpara se të shkoja drejtor. Akuzat ndaj meje janë të vazhdueshme deri në pikën kur nuk shoh më lajme dhe lexoj vetëm gazetat sportive”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto