A do të kemi rritje infektimesh me Covid-19 me hapjen e shkollave? Epidemiologu i njohur i qetëson të gjithë

10:34 02/09/20203min137
Dritan Ulqinaku

Epidemiologu i njohur, Dritan Ulqinaku, tha për Euronews Albania se përballimi i sezonit turistik me rreth 1 milion turistë nga rajoni që zgjodhën të pushonin në Shqipëri është një provë e madhe e kaluar sa i përket situatës nga COVID-19, çka sipas tij u reflektua në shifrat e rritura të muajit gusht.

Teksa iu referua edhe hapjes së shkollave si një sfidë e radhës, mjeku Ulqinaku u shpreh optimist se ky moment nuk do të sillte një bum infektimesh duke qenë se fëmijët nuk vinin nga izolimi dhe nëse do të zbatohen me kujdes masat e higjienës.

“Shqetësimi ynë nuk janë fëmijët, është përcjellja e infeksionit te mësuesit dhe prindërit. Fëmijët nuk kanë qenë të izoluar, kanë qenë gjithë kohës jashtë duke luajtur me njëri-tjetrin, ndaj nuk presim një bum infektimesh”, tha mjeku teksa sugjeroi se një maskë e thjeshtë pëlhure do ta kryente më së miri funksionin.

Duke iu referuar numrit të viktimave nga COVID-19 në vendin tonë, mjeku tha se është e vështirë të bësh analiza në këtë aspekt, pasi sipas tij ky virus është shumë specifik, individual, ndaj është e kotë të bësh krahasime me vende të tjera.

“Por lufta është e egër për ata pacientë me të cilët virusi sille në mënyrë të egër”, tha epidemiologu.

Ai shpjegoi se mosha më e prekur nga virusi aktualisht në vendin tonë është mosha aktive për punë, nga 40-60 vjeç dhe më pak moshat mbi 60 çka tregon një ndërgjegjësim të këtyre të fundit për të shmangur ekspozimin.

“Mosha 40-60 vjeç që e kanë kaluar COVID-19 janë tashmë më të mbrojtur, e kanë marrë në një farë mënyrë vaksinën dhe janë të aftë të jenë në frontin e parë për gjithçka”, shpjegoi epidemiologu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Rreth Nesh

Pusullashqiptare.al vjen si një iniciativë gazetarësh të rinj që parim themelor kanë informimin e publikut në mënyrë të paanshme. Ne do të jemi gjithmonë të pavarur, të vërtetë, në krah të interesit publik.


Kontakto