38% e vendeve të lira të punës në Shqipëri janë krijuar nga emigracioni

12:14 09/08/20214min120
Screenshot_180-large

Vendet e lira të punës në vendin tonë, më shumë se sa nga zgjerimi i ekonomisë, janë krijuar nga hendeku i krijuar në forcën e punës, emigracioni i lartë, sidomos në grupet e reja të popullsisë.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në anketën e Barometrit të Ballkanit për vitin 2021, gjeti se 38% e vendeve të lira të punës të krijuara në linjat e biznesit ishin nga mungesat si pasojë e emigracionit.

Problemi i emigracionit në forcën e punës është më i mprehtë në Shqipëri dhe në Bosnjë. Në Bosnjë, bizneset kanë pohuar se 50% e vendeve të lira të punës janë krijuar nga emigracioni, ndërsa fenomeni mbetet i lartë edhe në vendet e tjera, por më i ulët se në Shqipëri.

Shkaku më i fortë për vendet e lira të punës mbetet mungesa e aftësive. 45% e vendeve të lira të punës në Shqipëri janë të tilla si pasojë e mungesës së aftësive në tregun e punës. Bizneset në Shqipëri, Maqedoni dhe Malin e Zi, thanë se 50% e vendeve të lira të punës janë për shkak se nuk gjenden punonjës të aftë.

Një studim i këtij viti nga Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në Vjenë gjeti se, në vendin tonë 60% e forcës së punës është me arsim të ulët, në të kundërt, në vendet e tjera të rajonit, ku ky grup ka një peshë më të ulët në forcën e punës, nën 40%.

Popullsia në moshë pune do të bjerë ndjeshëm ne Ballkanin Perëndimor, Moldavi dhe Ukrainë, por në një skenar zero të emigracionit, rënia në Shqipëri do të ishte më e ulët.

Sipas të dy skenarëve, popullsia në moshë pune nga mosha 15-64 vjeç do tkurret në të gjitha vendet e rajonit deri në vitin 2050.

Në skenarin e parë, rënia e popullsisë do të jetë më e theksuar, me 24% në Shqipëri, 17% në Mal të Zi deri në 35% në Ukrainë.

Në skenarin e dytë, i cili supozon se nuk do të ketë migracion të jashtëm, rënia do të ishte më pak e theksuar.

Për Shqipërinë, në veçanti, një skenar i tillë do të ishte shumë i favorshëm: pa migracion, popullsia në moshë pune do të tkurret me vetëm 9%, në vend të 24% si në skenarin e parë. /MONITOR

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *