Njihuni me Greta Sadushin dhe Xheik Sheron, dy të rinjtë shqiptarë që kandidojnë për Këshilltarë Bashkie në Trento të Italisë (FOTO-VIDEO)

14:56 18/09/202010min85

WhatsApp-Image-2020-09-18-at-14.02.46

Vajza dhe djali që shihni në foto janë Greta Sadushi dhe Xheik Shero, dy të rinj nga Shqipëria, të cilët kandidojnë për Këshilltarë Bashkie në zgjedhjet komunale të Trentos në shtetin fqinj, Itali, zgjedhje që do të zhvillohen në datat 20 dhe 21 shtator.

Po kush është Greta Sadushi?

Greta prej pak kohësh ka përfunduar studimet universitare për Arkitekturë në Venecia.

Në prezantimin e saj, Greta na bën me dije se është një vajzë, e cila gjithnjë ka pasur një shpirt vizionar dhe largpamës

“Fati që kam udhëtuar më ka lejuar të kem pikëpamje që nuk janë të kufizuara vetëm në realitetin tonë, por që shkojnë përtej kësaj. Kjo është arsyeja pse unë jam i motivuar të raportoj çdo vlerë të vendeve që kam vizituar në qytetin tim.”, shprehet ajo në prezantimin e saj.

Greta vijon më tej duke shtuar se Trento asaj i ka dhënë shumë, ndaj ndjen nevojën që t’ia shpërblejë këtij vendi, sepse me gjithë eksperiencën e fituar në gjithë këto vite, ne do të vijojmë të kontribuojmë që Trento të jetë një qytet model, i sigurt e mbi të gjithë ‘i gjallë’.

Mirëpo, Greta nuk është e vetmja shqiptare në këtë garë. Bashkë me të garon edhe një tjetër djalë shqiptar, ai është Xheik Shero, 21 vjeç.

Kush është kandidati tjetër shqiptar Xheik Shero:

Xheik Shero është aktualisht student i Fakultetit Ekonomik në Trento dhe aktualisht është nëpunës.

Ai shprehet në prezantimin e tij se edhe pse në moshë të re dhe me pak eksperiencë, kjo nuk do ta pengojë atë në rrugën e tij, sepse dëshira e palodhshme për të mësuar dhe vendosmëria për të bërë atë që di të bëjë më mirë, do ta plotësojë këtë boshllëk.

Xheik shprehet se ajo çfarë ai ka primare në këtë garë të tijën është që zonës së Trentos t’i rrisë dhe përmirësojë aktivitetin turistik dhe atë universitar, për të futur ide të reja për të rinjtë për më shumë mundësi profesionale, duke krijuar vende takimesh ku ata të mund të ndajnë probleme dhe ide.

Të dy këto të rinj janë burim frymëzimi për çdo të ri shqiptar që ka lindur, është rritur apo edhe që jeton në vendin fqinj për t’u bërë dikush në jetë dhe për të qenë një zë i fortë i halleve dhe problemeve me të cilat hasen qytetarët e Trentos dhe shqiptarët në veçanti.

Ftojmë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Trento, me nënshtetësi italiane, që të dielën dhe të hënë të mbështesin dy bashkatdhetarët tanë me votat e tyre, për të bërë krenarë jo vetëm ata dhe familjet e tyre, por edhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Për më shumë ne kemi realizuar edhe një intervistë më Gretën, të cilën ju ftojmë ta lexoni më poshtë, në të cilën ajo shpreh të gjithë pikëpamjet e saj politike.

Greta përshëndetje, ju garoni në zgjedhjet e 20 dhe 21 shtator për Komunën e Trentos. Cili është profili juaj politik dhe cilat janë disa nga projektet e tua nëse do të zgjidheshit fituese në këto zgjedhje?

Përshëndetje. Po është e vërtet që në këto zgjedhje marr pjesë si kandidate për Këshilltare Bashkie në qytetin e Trentos bashkë me kolegun tim Xheik Shero. Bëjmë pjesë në listën e kandidatëve të partisë +TrentoViva, e cila është një parti qendër / e majtë. Duhet thënë që është një parti e re, dhe pritshmëritë janë të larta duke patur parasysh se lideri jonë është Matteo Renzi, i cili ka një impakt mjaft të lartë në Itali. Mundësitë për t’u përzgjedhur si këshilltarë të ardhshëm nuk janë të pakta, por me siguri ndjemë të themi që kemi nevojën e mbështetjes së bashkatdhetarëve tanë, tani më shumë se kurrë. Ashtu si unë edhe Xheik, jemi dy të rinj që po mundohemi te afrojmë kontributin tonë për qytetin e Trentos. Si femër që jam, pika ime e dobët dhe primare është të garantoj sigurinë e zonave më të rëndësishme dhe qendrore të qytetit. Xheik gjithashtu vazhdon të zhvillojë studimet universitare këtu dhe nevoja për hapësira të reja të dedikuara studentëve është një prej planeve dhe propozimeve që do të behën në Këshillin Bashkiak. Duke konsideruar edhe formimin tim si arkitekte e sapo diplomuar, shumë propozime të miat do jenë të fokusuara edhe në aspektin urbanistik dhe arkitekturor të qytetit.

Ju jeni në këtë garë se bashku me një tjetër shqiptar, Xheik Shero. Si dy të rinj që jeni cila janë disa nga pikat kryesore të programit tuaj për të përcjellë në këtë provincë ku ju jetojnë shpirtin tuaj rinor, kulturën evropiane, por edhe përsa i përket çështjes së sigurisë dhe rendit në Trento?

Siç e përmenda me lart, unë së bashku me Xheik do mundohemi të sjellim eksperiencat tona dhe frymën rinore që çdo qytet evropian duhet të ketë. Të dy kemi patur fatin të udhëtojmë shumë dhe kjo do të na ndihmojë të bashkëpunojmë në Këshill me ide inovative për përforcimin e pikave të forta që qyteti i Trentos paraqet, por mbi të gjitha të punojmë dhe përmirësojmë aspekte si siguria, jeta studentore, transporti publik dhe lidhjet urbane me zona të cilat janë pak te veçuara dhe fragmentuara nga qendra e qytetit.

Së fundmi, a keni ju një thirrje për të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Trento, ata me nënshtetësi italiane, për t’iu mbështetur ju në këtë garën tuajën?

Me siguri. Thirrja jonë është që këtë të diel më datë 20 shtator dhe të hënën 21 shtator, të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në qytetin e Trentos dhe kanë nënshtetësi italiane, i ftojmë të na mbështesin dhe të na japin një mundësi si dy të rinj shqiptarë që jemi duke na votuar. Mënyra e votimit është shumë e lehtë, duke vënë një X në simbolin e +TrentoViva në skedën e verdhë dhe duke shkruar Sadushi Greta – Shero Xheik. Ju falënderojmë shumë!

(Descript.al)

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *